Uli Hënes duket se ka marrë në dorë “frenat” e Bajernit. Pikërisht Uli ishte personazhi kryesor që i dha dritën jeshile bordit për të shkarkuar binomin drejtues Kahn-Salihamixhiç.

Së fundmi ish-lojtari i Bajernit është treguar i pamëshirshëm karshi 53-vjeçarit, i cili mbulonte para 4 ditësh postin e shefit në Mynih. Madje kritikat e Hënesit arritën deri në atë pikë sa të vlerësonte punën e Oliverit si katastrofike.

KRITIKAT- “Biseda me Kahnin në lidhje me shkarkimin e tij nuk ishte e këndshme. E kuptoj zemërimin nga ana e tij, por vendimi erdhi si rezultat i një sërë faktorësh me natyrë negative. Ai është person shumë inteligjent, por personaliteti i prezantuar në rolin e shefit nuk i përmbushi kurrë pritshmëritë fillestare. Dua të jem i vërtetë, puna e Oliverit mbeti në pikën 0, ose më qartë katastrofike.

53-vjeçari ndoqi hapa të gabuar duke e rrethuar veten me këshilltarët e përzgjedhur individualisht. Nuk mund ta harroj se çfarë ka realizuar me ngjyrat e klubit më të titulluar në Gjermani, ama këtu ndryshon biseda, sikurse roli që ish-gardiani ynë posedoi. Ruajtja e qetësisë dhe frymës pozitive mbetet e vetmja rrugë që të dërgon te suksesi dhe ne këtë element po përpiqemi të rikuperojmë mbi të ardhmen”, përfundoi 71-vjeçari në prestigjiozen “Kicker”.

Panorama në fjalë demonstron se temperamenti i gabuar në qasjen e Kahnit si në planin komunikues dhe atë menaxherial nuk i kanë lënë asnjë fije shprese bordit për t’i besuar statusin e shefit në sezonin e ri.

REPLIKAT E KAHNIT- “Doja të festoja me ekipin titullin e 11-të radhazi në Bundesligë, por fatkeqësisht klubi më ndaloi. Përjetova ditën më të keq në jetë. Nuk e kuptova se verdikti erdhi para takimit final, ndërsa data zyrtare koincidonte me 30 majin”, ishin frazat e Oliver Kahnit pak çaste pasi Bajerni u kurorëzua në ligën vendëse. Mesazhi në fjalë nga legjenda gjermane u shpërnda në rrjetin social “Twitter”.

Megjithatë, pak çaste më vonë ai e fshiu, duke e pasuar me nota vlerësuese ndaj lojtarëve: “E pabesueshme. Fjalët më të mira dhe urime djema. Jua kam thënë gjithmonë, jepni më të mirën dhe mos u dorëzoni kurrë. Krenarë për arritjen”, shtonte numri 1 në Mynih përgjatë periudhës 1994- 2008 në mbrojtjen e katërkëndëshit bavarez.

ARSYEJA E NDALIMIT- Shtefan Efenberg ka rrëfyer versionin se përse Oliver Kahn u ndalua të shkonte në udhëtimin me ekipin krahas Këlnit: “Drejtuesit i druheshin një përplasjeje mes Dresenit dhe Kahnit, pasi ky i fundit e kishte mësuar lajmin rreth shkarkimit prej së premtes, ndryshe nga sa u veprua me Salihamixhiçin. Opsioni më i manovrueshëm mbeti ai i bllokimit, kështu që Hainer e ndaloi të bashkohej me grupin”, tha Efenberg në radhët e “Bild”.

Jan-Kristian Dresen është caktuar nga bordi mbikëqyrës i rekordmenëve gjermanë si pasues i Oliverit.