Herald Marku rezulton golashënuesi më i mirë i Vllaznisë në këto 12 javë kampionat. Mesfushori ka realizuar katër herë për shkodranët, duke qenë vendimtar në disa ndeshje. Rikthimi në Shkodër pas një viti si pjesë e Partizanit u mirëprit në ambientin kuqeblu dhe menjëherë trajneri Mirel Josa i gjeti vendin mesfushorit, që shquhet për goditjet me të majtën.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, 26- vjeçari është shprehur optimist se ecuria e Vllaznisë do të jetë edhe më pozitive në vazhdimësi. Ai e cilëson barazimin ndaj Tiranës si një rezultat pozitiv, për më tepër që në fazën e tretë dhe të katërt do të presin bardheblutë në Shkodër pas ndryshimit në kalendar. Marku bëri një koment edhe për grumbullimin e parë në Kombëtare, teksa debutoi me fanellën kuqezi në miqësoren ndaj Katarit, që u zhvillua në Spanjë.


Herald, morët një pikë në Tiranë. Mendoni se kishit shanse për më tepër?

Sigurisht që na vjen keq që nuk arritëm të merrnim tri pikë, sepse i kishim mundësitë për të dalë me fitore nga ndeshja me Tiranën. Na duhet të pranojmë rezultatin, pasi futbolli kështu është. Gjithsesi, barazimi mendoj se mund të quhet në një farë mënyre rezultat i drejtë.

Këtu e keni fjalën edhe për rastet që shpërdoroi kundërshtari?

Po, duke marrë parasysh se edhe Tirana kishte rastet e saj për të shënuar, ashtu si ne.


I keni marrë katër pikë ekipit kryesues në dy ndeshje, ndërsa keni humbur në Shkodër ndaj Partizanit. Duke parë edhe rivalët e tjerë, mendoni se Vllaznia ka forcën për të qenë e para shumë shpejt?

Kemi marrë 4 pikë në një fushë të vështirë dhe në dy fazat e tjera i kemi dy ndeshjet ndaj Tiranës në fushën tonë. Për mua kjo është një gjë shumë pozitive dhe jam i bindur që i kemi të gjitha mundësitë për të pretenduar më lart. Gjithçka do ta shikojmë hap pas hapi.


Sa ju vlen ky pushim, në një kohë që do të riktheheni të luani sërish ndaj Tiranës për finalen e Superkupës…?

Po, është diçka e mirë, sepse mund të pushojmë pak dhe të rikthehemi te freskët dhe të plotë për finalen e Superkupës. Me Tiranën në finale do të jetë një ndeshje shumë emocionuese dhe e bukur, që në fund uroj të festojmë ne si Vllazni.


Është ky sezoni i duhur për titullin?

Do të japim maksimumin në çdo moment që ta rikthejmë Vllazninë aty ku i takon të jetë, në majat e futbollit shqiptar.

Provuat një ndjesi të bukur duke qenë pjesë e Kombëtares në miqësoren ndaj Katarit. E prisni sërish një ftesë?

Ishte një ndjesi shumë e bukur dhe eksperiencë e mirë, por më duhet të punoj fort për të qenë pjesë e Kombëtares edhe në vazhdim.