Ditët e fundit, emri i Herald Markut ka dalë shpesh te Vllaznia. Fakti që nuk u bë asnjëherë faktor te Partizani ku hapësirat i kishte të pakta, çoi në fjalët se ai mund të rikthehet sërish në Shkodër, aty ku ia kishte kaluar shumë mirë në dy vite si kuqeblu.

Për më tepër, nisur edhe nga marrëdhëniet e shkëlqyera të tij me të gjithë pjesëtarët e skuadrës shkodrane dhe veçanërisht me kapitenin Erdenis Gurishta, me të cilin para pak ditësh kanë qenë së bashku për pushime në Spanjë.

Në fakt, te Vllaznia janë në pritje të tij, teksa burime të “Shkodra Sport” kanë mësuar se mesfushori është drejt firmës me shkodranët. Megjithatë, momentalisht problem mbetet skuadra e Partizanit, me të cilën ka kontratë deri në fund të sezonit të ardhshëm.

Vetë Marku po sheh mundësinë për t’u larguar dhe nga burime të “Shkodra Sport” mësohet se ai ka kërkuar letrat për t’u larguar nga Partizani dhe marrja e lejekalimit pritet të ndodhë në ditët në vijim, teksa mesfushori ka shumë gjasa të firmosë me Vllazninë, para nisjes së shkodranëve për fazën përgatitore në Austri.

Kështu, edhe shpresa e tifozëve shkodranë për ta parë këtë futbollist edhe njëherë me fanellën e Vllaznisë të veshur, duket se do të realizohet, teksa Herald Marku është drejt firmës me Vllazninë, ku një gjë e tillë pritet të bëhet zyrtare para nisjes drejt Austrisë të ekipit shkodran për fazën përgatitore.
Maringlen ZHIVANI