Mesfushori Herald Marku konsiderohet si një nga goditjet e mëdha të Vllaznisë në merkaton e verës. Ish-mesfushori i Partizanit, në miqësoren e djeshme të shkodranëve, hyri në fushë si titullar dhe me aq hapësirë dhe minutazh që pati, e kaloi provën dhe dha sinjale se mbetet një futbollist kualitativ.

Problem mbetet disi arritja e formës optimale, pasi Marku erdhi te Vllaznia pas një viti pa shumë angazhim në lojë me klubin e Partizanit. Cilësia nuk i mungon, gjë të cilën ai e ka treguar në disa momente të dy ndeshjeve miqësore.

Ndoshta në ndeshjen e parë ndaj Universitatea Kraiovës në Shkodër, trajneri Josa do t’i japë mundësinë të luajturit si titullar në formacion Herald Markut, që me aktivizimin e tij, sikur mund t’i japë më shumë frymëmarrje ekipit të Vllaznisë në ndërtimin e aksioneve nga qendra e mesfushës.

Megjithatë, një gjë e tillë mbetet të shikohet në seancat e ardhshme stërvitore në Austri, që do të vijojnë deri me datën 13 korrik. Kjo periudhe do te sherbeje per te rritur edhe me teper parametrat fizike ne menyre qe skuadra te jete “top” para sfidave me rumunet.
Maringlen ZHIVANI