Gol, asist dhe një paraqitje për kornizë. Gonzalo Higuain bën modestin dhe aspektin personal e nxjerr në plan të dytë, teksa pas ndeshjes së djeshme deklaronte:

“Ishte një ndeshje e rëndësishme për një trofe po aq të rëndësishëm sa Kupa e Italisë. Luajmë gjithmonë për të fituar, sepse kalimi i turit ishte një nga objektivat e kësaj pjese të parë të sezonit”. Me Dibalën përbën një dyshe vrastare, siç e konfirmoi edhe sfida e djeshme ku golat mund të kishin qenë më të shumtë.

Higuain nuk bën dallim kur pyetet për partnerin e preferuar. “Me Dibalën ndihem mirë, por kënaqësia është e madhe me çdo lojtar të madh me të cilin kam mundësinë të luaj këtu te Juventusit.

Sot zhvilluam një paraqitje të mirë, por duhet të përsëritemi edhe ndaj Parmës”, sqaroi sulmuesi i “Zonjës së Vjetër”. Komenti i fundit kishte të bënte me merkaton, një argument të cilin Higuain e dribloi siç bën shpesh me rivalët në fushë.

Duke mos pranuar të flasë për afrimet në ekip, argjentinasi deklaroi lidhur me një afrim të mundshëm të Pogbasë: “Jemi Juvja dhe duhet të bëjmë më të mirën me këtë fanellë. Uroj që ta ndihmoj sa më shumë skuadrën. Për merkaton nuk më takon të flas sepse mendon klubi, por Pogba është një lojtar i madh dhe të tillë futbollistë janë gjithmonë të mirëpritur”.