Paradoksi i klubit më të madh gjerman, me një qendër sportive ndër më modernet në botë. Brenda tij një (ose më shumë) spiun që prej vitesh ka nxjerrë jashtë sekretet e klubit. I fundit sherri Mane-Sane.

Qendra sportive e Bayernit është pa dyshim një nga më të mirat në botë. Por ka një problem: është plot me spiunë. Ose të paktën ka një të tillë aktiv dhe shumë të veçantë. U bënë vite që te Bayerni diskutohet ky problem. Janë përballur me të trajnerë të mëdhenj, si Guardiola dhe Ancelotti, ndërsa kohët e fundit edhe Kovaç dhe Nagelsmann.

Asgjë nuk ndryshon, madje edhe Tuchel, që ka më pak se një muaj që ka marrë drejtimin e skuadrës, ka përjetuar eksperiencën e parë.

“Do ishte mirë që gjërat që ndodhin në dhomën e zhveshjes të mbeten aty”, – ka pohuar trajneri, duke iu referuar grushtit të Mane ndaj Sane. Rasti është i rëndë dhe ka ndodhur me dyer të mbyllura. Larg syve të njerëzve teorikisht, por vetëm pak orë më pas pushtoi të gjitha gazetat.

Në 2018-ën Kovaç, që sapo kishte shkuar te Baierni, duhej të mbante nën kontroll tensionin e brendshëm, duke diskutuar edhe me mediat, që ishin në dijeni të përplasjeve private. James Rodriguez, për shembull, i ulëriti ‘Këtu nuk jemi në Frankfurt’, duke iu referuar klubit që Kovaç drejtonte para se të shkonte te bavarezët.

Trajneri kroat bënte në atë kohë një ‘turnover’ të gjerë, pa marrë në konsideratë statusin e lojtarëve. Drejtori sportiv Salihamixhiç ndërhyri për këtë çështje: “Kjo gjë duhet të ndryshojë, do të zbulojmë kush i përhap këto zëra, kush i nxjerr jashtë klubit”.

Asgjë nuk ndryshoi. Përkundrazi, spiuni vazhdon të jetë i qetë në qendrën sportive bavareze, siç ndodhte edhe para 2018-ës. Në shkurt të 2017-ës iu tregua Ancelottit, gjatë një konference shtypi, një foto e tabelës së tij taktike. Një lojtar ia kishte dërguar një gazetari të ‘Bild’.

Në 2014-ën u bë publike lista e ndëshkimeve të vendosura nga trajneri Guardiola për ata që nuk respektonin rregulloren e brendshme. Në 2010-ën mori vëmendje gjesti i Van Galit, që u tregoi organet gjenitale lojtarëve, duke u kërkuar atyre që të tregonin në fushë se i kishin.

Në 2016-ën ishte Guardiola që u përball publikisht me këtë tematikë. “Gazetarët janë shumë, shumë të zotët, – tha spanjolli. – Normalisht këto gjëra mbeten në skuadër dhe ai që e ka bërë, e ka bërë për të më goditur mua”. Pep u përpoq t’i jepte mesazhin Ancelottit, që pak muaj më pas e zëvendësoi në stolin e Bayernit.

“Unë vitin tjetër nuk do të jem këtu, spiuni ndoshta po. Dhe ndoshta ai nuk e di që nuk më godet mua, siç dëshiron, por godet skuadrën dhe klubin. Nuk e di kush mund të jetë, por i përket klubit dhe jo mua. Është një problem i klubit”.

Në janar të 2016-ës spiuni u kishte treguar gazetarëve netët e gëzueshme të Arturo Vidalit. “Nuk ka rëndësi kush është, nëse e zbuloj, do të priten koka, – tha Guardiola në atë kohë. – Kushdo të jetë, me mua nuk luan më”. Pas shumë vitesh problemi ekziston ende. Te Bayerni ka një spiun shumë aktiv…