Dëshira për t’u bërë volejbolliste, i ka lindur nga mamaja e saj… Megjithatë, bën pjesë edhe në Gardën e Republikës, teksa është shoqëruese dhe ruan sigurinë e personaliteteve të larta të shtetit shqiptar.

Të luash volejboll dhe të ruash sigurinë e personaliteteve të larta të shtetit, janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme, në fusha krejtësisht të kundërta dhe jo pa vështirësi, por ajo ia ka dalë mbanë deri më tani në të dy krahët. E kemi fjalën për volejbollisten e njohur të Vllaznisë, Esmeralda Tuci.

Ndoshta, për shumëkënd mund të jetë hera e parë, që dëgjon një histori të tillë, që një femër të jetë edhe volejbolliste, edhe shoqëruese e personaliteteve të larta të shtetit, si pjesë e Gardës së Republikës, megjithatë, pavarësisht stepjes së momentit që mund të ketë shumëkush, Esmeralda Tuci, nuk ndali së ndjekuri dy dëshirat e saj asnjëherë.

Vajza me origjinë nga Mirdita rrëfen në një intervistë për gazetën “Shkodra Sport” rrugëtimin që ka bërë si në volejboll, ashtu edhe si pjesë e Gardës së Republikës, më saktë si shoqëruese e personaliteteve të larta të shtetit, duke u kujdesur për sigurinë e tyre.

Megjithatë, edhe pse tashmë kanë kaluar katër vjet që nga dita që Esmeralda është pjesë e “industrisë së sigurimit”, edhe pse ka udhëtuar rreth e përqark botës si volejbolliste e Kombëtares së femrave, duke korrur suksese të shumta, si volejbolli, ashtu edhe detyra si shoqëruese e personaliteteve, është e barabartë për të, pa dashur të veçojë njërën nga tjetra.

“Karriera ime nisi që në moshën 13-vjeçare. Pasionin për volejbollin, e kam nga mamaja, e cila ka qenë volejbolliste.

Luaj akoma volejboll dhe karriera ime ka qenë shumë e bukur dhe plot emocione. Në volejboll e kam arritur atë që kam dashur.

Jam pjesë e Gardës së Republikës. Për mua, është një punë që unë e dëshiroj dhe e bëj me kënaqësi.
Po ta shikosh nga jashtë, janë dy gjëra të ndryshme, por në brendësi kanë një gjë të përbashkët bashkëpunimin në grup, sic është edhe volejbolli.

Nuk e di si shikohet njerëzit kjo gjë, por për mua është një punë e barabartë me volejbollin. Ashtu siç mbaja bluzën e Shqipërisë, në çdo shtet të botës në ndeshje ndërkombëtare, kështu është puna që punoj dhe kontribuoj për shtetin, siç është Garda e Republikës.

Për mua, paragjykimet kanë vdekur që në moshën 13-vjeçare, kur kam nisur sportin. Nuk më intereson çfarë flasin njerëzit. Çdo gjë në jetë e bëj siç ma do zemra, pa menduar shumë.

Familja ime më ka mbështetur shumë dhe ndoshta prandaj ndodh edhe kjo gjë. Familja ime është krenare për mua dhe arritjet e mia.

Nuk jam bërë pishman asnjëherë që jam pjesë e Gardës. Ashtu, siç e cilësova më lart, e dua këtë punë dhe e bëj. Po të mos ta doja, do ta lija pa u menduar shumë.

Për momentin pas mbylljes së kampionatit, asgjë nuk kam në plan. Më vonë do mendoj. Tani kam vetëm detyrën për të ruajtur personalitet e larta të shtetit”,-mbylli prononcimin e saj, volejbollistja dhe shoqëruesja e personaliteteve të larta të shtetit, Esmeralda Tuci.
Maringlen ZHIVANI