Barazimi 0-0 i Shqipërisë ndaj Gjeorgjisë ka nxjerrë në pah problemet me sulmit kuqezi që vazhdon të mos krijojë aq sa pritet prej tij. Një prej emrave më të shumëpritur ishte ai i Armando Brojës, i cili në ndeshjen miqësore të luajtur në “Air Albania” nuk arriti të shfaqte vlerat e tij.

Sipas Sulejman Memës, specialist i Sektorit Teknik të FSHF, sulmuesi nuk ishte impenjuar maksimalisht në këtë sfidë dhe duke folur për “SuperSport” ai nuk kurseu kritikat ndaj sulmuesit i cili aktivizohet në Premier Ligë.

“I gjithë stadiumi oshtinte kur merrte topin Broja. Ai duhet të jetë i impenjuar si është me Sauthempton. Duhet të jetë i pranishëm edhe në miqësoret e Kombëtares për të treguar vlerat që ka.

Kështu, i bën nder vetes dhe Shqipërisë. Unë e kam parë të sillej me indiferentizëm në ndeshjen e djeshme”, ishin fjalët e Memës.