Milan duket se do të jetë mjaft aktive në merkaton e verës ku objektivave si mbrojtësi Botman dhe mesfushori Renato Sançez duket se i është shtuar dhe një emër i ri. Marko Asensio është kthyer në objektivin e radhës të Paolo Maldinit, me drejtorin sportiv të Milanit që e ka vendosur në listën e afrimeve për sulmin kuqezi.

Sipas asaj çka raporton e përditshmja italiane “Tuttosport” 26-vjeçari spanjoll pritet të largohet nga Reali gjatë merkatos për shkak të minutave të pakta të luajtura këtë sezon, si dhe rolit si zëvendësues që ka në skuadrën e drejtuar nga Karlo Ançeloti.

Milani do të ishte një destinacion që fantazisti spanjoll do ta merrte në konsideratë duke parë impaktin që të tjerë futbollistë që kanë lënë Realin dhe i janë bashkuar kuqezinjve kanë pasur, siç është rasti i Teo Hernandez e Brahim Diaz.

Problemet kryesore për këtë transferim duken të jenë vlerësimi i lartë që Reali i Madridit ka për spanjollin, si dhe rroga e tij e lartë që kap shifrën e 5.5 milionë euro në sezon.

Pritet të shihet sesi Paolo Maldini do të lëvizë në merkato dhe nëse do të mundet ta transferoj Asension i cili do të ishte një afrim mjaft kualitativ për sulmin e skuadrës së drejtuar nga Stefano Pioli.