Besëlidhja është shpallur kampione e Shqipërisë në basketboll për meshkuj për sezonin sportiv 2023-2024. Skuadra lezhjane fitoi sot në mbrëmje 105-67 ndaj Teutës në finalen e katërt play off luajtur në pallatin e sportit “Ramazan Njala” në Durrës. Për pasojë, Besëlidhja fitoi 4-0 serinë e takimeve, duke u shpallur kampione.

Ky është titulli i parë në historinë e këtij klubi, që shkruan kështu historinë e basketbollit shqiptar. Investimi i nisur disa vite më parë më në fund dha frutet e tij, me fitimin e titullit kampion. Kjo festë e madhe mund të kishte ardhur që para një viti, por asokohe lezhjanët gabuan për të bërë hapin final, gjë që s’ndodhi këtë sezon.

Këtë herë ndaj Teutës, në të katërta finalet play off, ekipi i drejtuar nga trajneri Afrim Bilali dominoi në fushë, duke qenë superior dhe e meritoi titullin. Madje lezhjanët dominuan gjithë kampionatin që nga tetori, duke qenë në vendin e parë përgjatë gjithë sezonit të rregullt të Superligës.

Sfida e sotme ishte një formalitet për Besëlidhjen, që u shkëput që nga minuta e parë dhe e ruajti avantazhin deri tek e fundit. Teuta nuk ishte në gjendje të rivalizojë dhe në fushë dukej e dorëzuar edhe pse luante para publikut të saj. Avantazhi 54-36 në fund të pjesës së parë flet qartë për epërsinë e ekipit mik.

Edhe në 20 minutat e dyta Besëlidhja nuk e ul ritmin, duke fituar me shifrat 105-67. Shënuesi më i mirë për kampionët e saposhpallur ishte Hamati me 18 pikë, ndërsa Small realizoi 21 pikë për durrsakët. Në fund, ceremonia e dorëzimit të trofeut, që ishte një festë e jashtëzakonshme për Besëlidhjen.

Superliga-Finalet play off

Finale 1, Besëlidhja – Teuta, 103-72

Finale 2, Teuta – Besëlidhja, 75-91

Finale 3, Besëlidhja – Teuta, 106-65

Finale 4, Teuta – Besëlidhja, 67-105

*Besëlidhja fitoi 4-0 serinë e takimeve