Edhe pse trajneri i Holandës, Luis van Gal, lë pas dore një përballje shumë të vakët kundër Senegalit në ditën e hapjes, skuadra e tij mori jetë gjatë minutave të fundit me dy gola jetik për të fituar garën. Van Gal pranoi se skuadra e tij ishte edhe “e dobët dhe e çrregullt” në zotërimin e topit, megjithëse tri pritje të rëndësishme nga portieri debutues Nopert siguruan që ata të mos e pësonin.

Sot në 17:00 kundër Ekuadorit do të luajnë për kreun dhe kualifikimin e me sa duket Van Gal ka marrë masa që gabimet e ndeshjes së parë të mos përsëriten dhe që lojtarët e tij të informohen mirë për rivalët e sotëm pas deklaratave se i njihnin pak ekuadorianët. “Ekuadori është një kundërshtar më i zgjuar se Senegali dhe është gjithashtu më i organizuar. Kështu që do të jetë më e vështirë se e hëna e kaluar. Unë gjithashtu nuk e di formacionin e Ekuadorit. Nuk e di nëse do të luajnë me Valencian apo dikë tjetër, por u sugjeroj lojtarëve të mi të rrinë të qetë, sepse kam më shumë se një vit që studioj Ekuadorin”.

SITUATA E DEPAIT – Memfis Depay pësoi një dëmtim muskulor më shumë se dy muaj më parë gjatë ndeshjes jashtë fushe të kombëtares holandeze kundër Polonisë. Ai u rikthye të hënën e kaluar gjatë ndeshjes kundër Senegalit (2-0) në Kupën e Botës. Van Gal e la në fushë për më shumë se gjysmë ore.

Trajneri i kombëtares tregohet i kujdesshëm me golashënuesin që ka shënuar 42 gola në 82 ndeshje me “Portokallinjtë”. “Do të bëjmë nesër (sot) vlerësime e fundit. Është e qartë që Memfis nuk mund të jetë në formën ideale, sidoqoftë nuk kam për t’i zbuluar që tani kartat e mia”, sqaroi 71-vjeçari në konferencë për shtyp.

DE LIGT TITULLAR – Van Gal gjithashtu nuk ka dashur të thotë nëse De Ligt apo Jurrien Timber do të jenë titullarë kundër Ekuadorit. De Ligt u preferua kundër Senegalit, por mbrojtësi i Bajernit pas asaj sfide tha se Timber mund të kishte luajtur më mirë rolin e tij. “Unë shikoj edhe kundërshtarin, por De Ligtit mund t’i thoni që tani se do të jetë titullar kundër Ekuadorit”, sqaroi tekniku holandez.

RIVALËT NË BOTËROR – Humbjet e Gjermanisë dhe Argjentinës në Kupën e Botës përbëjnë surpriza, por sipas Van Galit janë rezultate që favorizojnë kombëtaren që ai drejton. “Që rivalët humbasin, kjo thotë diçka. Gjermania dhe Holanda krijuan shumë raste para pushimit, por nuk i shfrytëzuan. Fakti që ata humbën në pjesët e dyta mund të ketë të bëjë me disiplinën e ekipit. Disiplina jonë ekipore vazhdon deri në minutën e 90-të. Unë gjithashtu flas për këtë me djemtë e mi dhe ata e kanë kuptuar sa e rëndësishme është kjo”, përfundoi 71-vjeçari.