Trajneri i Kukësit, Skënder Gega, e ka cilësuar të pafalshme humbjen e skuadrës së tij në shtëpi ndaj Kastirotit. Duke folur për ”Oversport”, ai ka theksuar se ekipi bëri mirë përveç dy rasteve kur u ndëshkua.

“Me dy fjalë nuk mund ta bësh analizën e 90 minutave, në pjesën e parë ekipi i Kastriotit u mbrojt me shumë lojtarë, në pjesën e dytë luajtëm mirë. Mua më pëlqeu pjesa e dytë, pavarësisht se në dy raste, dy kundërsulme, të pavendosur e pavëmendshëm, u ndëshkuam. Kurse pjesa tjetër ishte e mirë, qarkulluam topin, merrnim krahët. Por në fund fare u ndëshkuam, nuk është hera e parë. Ndjej keqardhje sepse djersitëm, por nuk është e mjaftueshme të djersitesh po që çdo gjë të jetë në vendin e duhur.

Kritika ka patjetër kur humbin ndeshjen. Nuk jemi të parët që humbim ndeshje por kur humb një ndeshje me një rival që të paktën në letra quhet më i dobët… Unë isha përgatitur gjatë gjithë kohës dhe thosha që nuk është i lehtë, se nuk duhet t’i referohemi klubit apo historisë, por 90 minutëshit. Unë e dija që nuk ishte ndeshje e lehtë, jam munduar që t’i motivoj gjatë gjithë javës që të jenë të vëmendshëm, por pjesa e dytë, ndryshe nga performanca e asaj që paraqitëm, solli dy gola që për mua ishin të evitueshëm. Por është edhe e pafalshme për një ekip që të shkërmoqet në atë lloj mënyre.

Është përgjegjësi e madhe, unë jam mësuar të marr përgjegjësitë se jam trajneri i tyre. Pavarësisht se nuk është e mirë të bësh analiza me kokë të nxehtë pa e parë ndeshjen disa herë, aty e sheh kush është ai që na ka ndëshkuar. Mënyra më e drejtë nga ana profesionale është që marrin përgjegjësi të gjithë. Por e merr trajneri dhe kjo është krejt normale për mua.

Mua më duhet të bashkoj secilin pavarësisht nga ka ardhur, karrierën dhe çfarë të kaluar. Në momentin që kanë ardhur jam munduar që t’i bashkoj, por në fushë duket se secili është ende pak i veçuar dhe kjo bën mungesë komunikimi dhe të jenë afër njëri-tjetrit. Është sfidë dhe nuk është e lehtë, por nganjëherë kur çalon, ngërçi kalon me një gol a fitore të pamerituar. Por se si humbëm ndjej keqardhje se ishte performancë më e mirë se e ndeshjes me Vllazninë. Kishim shanset tona, por me dy kundërsulme u ndëshkuam. Është edhe meritë e Kastriotit sepse në fund të fundit, ata shënuan, sa forca kishin, ashtu e kishin ndërtuar mënyrën e lojës, ndaj duhet t’i japim meritë.

Kukësi është një kantier i ri, varet sa do të ketë durim edhe në stadium, por edhe me njëri-tjetrin. Nuk është e lehtë. Të themi që çalon kjo dhe e fiksojmë javën tjetër, siç është një javë nuk është tjetra. Javën tjetër treguam mendësi dhe sot ndryshe, por në fund janë pikët që të bëjnë të jesh më i qetë apo në presion.

Përgjegjësitë janë të ndryshme, si trajner jemi përgatitur dhe jemi munduar t’i largojmë nga presioni. Ekipi është bërë nga fillimi dhe të jem i sinqertë asnjërit nuk i është thënë jo. Kush ka qenë i gatshëm i janë plotësuar gjërat, nuk është për t’i mbajtur me të mirë. Ata janë vërtetë, ata janë profesionistë, është herët për të folur dhe marr presionin. Por edhe pak duhet që ata të zgjidhen se janë tre ndeshje, në këtë prizëm jam munduar të flas me ekipin.

Zivkoviç? Unë mësoj se ai ka besueshmërinë e plotë, ai dhe dikush tjetër. Mënyra se si shihen ka qenë një pasqyrë tjetër, në dy muaj, në miqësore, dikush kaloi klasën dhe dikush jo. Zivkoviç ka kontratë dhe është pjesë e Kukësit. Në futboll një herë dyshohet për mua, një herë për Zivkoviç, kështu janë gjërat. Por mjafton një marrje e mirë e topit dhe i bën gjërat në favorin tënd. Por unë e kam vlerësuar, derisa ka ardhur këtu. Të jem i sinqertë që nuk kam qenë i kënaqur, jo vetëm nga ai por edhe nga të tjerë. Ai ka bërë dy gola dhe ka bërë detyrën e vet, jam i kënaqur dhe i lumtur për të. Por humbja është ngarkesë e madhe, por përgjegjësia është imja se unë jam trajneri i tyre, i drejtoj si në të mirë, ashtu edhe në të keqe”, tha Gega.

Ai ka marre pergjegjesite per startin jo te mire te skuadres se Kukesit, por ende nuk dihet nese mjafton kjo gje. Burime nga kampi kukesia bejne te ditur per “Shkodra Sport” se pozitat e trajnerit Skender Gega jane lekundur shume. Madje qe prej javes se kaluar pas ndeshjes ndaj Vllaznise eshte pritur ndoshta edhe shkarkimi i tij, por fakti qe ajo u humb ne minutat shtese, e kane shtyre vendimin e drejtuesve. Por humbja e sotme ne shtepi ndaj Kastriotit konsiderohet e pafalshme dhe me siguri neser do te kete ndonje vendim nga ana e klubit per trajnerin.