Dëmtimi i përsuar në ndeshjen ndaj Kaljarit nuk do të mjaftojë për të ndalur Elseid Hysajn që të zbresë në fushën e lojës përballë Romës në fundjavë, një sfidë shumë delikate pasi mund të përcaktojë fatin e luftës për titullin kampion.

Për këtë garanton meanxheri i futbollistit, Mario Xhiufredi, i cili ka bindjen e plotë se mbrojtësi do të jetë në fushën e lojës në këtë duel për të dhënë kontributin e tij.

“Hysaj me siguri që do të jetë ndaj Romës, për ta ndalur duhen raketa dhe ai është një futbollist që ecën me pilot automatik”, deklaroi Xhiufredi në një intervistë radiofonike.

I pyetur edhe rreth zërave të merkatos që e shohin futbollistin pranë klubeve të mëdha europiane, së fundmi edhe Barcelonës, ai nuk sqaroi gjërat me detaje, por kishte bindjen se Napoli do të përfitonte shumë para nga shitja e tij, kurdo që të ndodhte ajo.

“Për Hysajn do të ketë një fitim shumë të madh financiar, ndërsa edhe Mario Rui do të ketë një vlerë më të lartë se shifra e rëndësishme që pagoi Napoli për të.

Pastaj sigurisht, fundi i sezonit bën diferencën. Për të caktuar një vlerë tregu janë të rëndësishme muajt e fundit”, saktësoi ai.

Hysaj u ble nga Napoli për pak më shumë se 5 milionë euro, ndërsa klauzola e tij e largimit në kontratë është 50 milionë euro. /vipsport/