Napolit i mjaftoi vetë një pjesë dje për të shkatërruar Atalantën, duke e sjellë sërish me këmbë në tokë skuadrën e Gasperinit, që kishte ecuri perfekte deri më tani. Titullar në këtë ndeshje ishte Elseid Hysaj.

Mbrojtësi i kombëtares sonë është kaluar në të majtë nga Gatuzo këtë fillim sezoni dhe ka treguar se mund ta bëjë mjaft mirë këtë pozicion, madje ka nisur të marrë më shumë iniciativë në sulm.

Kapiteni i kombëtares sonë është vlerësuar me notën 6.5 në këtë ndeshje nga TMW, teksa media e njohur e cilëson si një paraqitje shumë pozitive atë në yllit nga Shkodra.

“Është i pari që kërkon të avancojë përpara, por bllokohet nga De Run. Megjithatë, ai bën një ndeshje të shkëlqyer, tregohet shumë inteligjent dhe nuk vuan aspak nga rrezikshmëria e Iliçiç”, shkruhet për Hysajn.

Ndërkohë, Gjimshiti nga ana tjetër nuk luajti si titullar sepse Gasperini pati vendosur ta linte të pushonte. Kur ai s’ishte në fushë Atalanta pësoi katër gola dhe në fillim të pjesës së dytë Gjimshiti hyri në lojë. Situata në prapavijën e bergamaskëve u përmirësua dukshëm, çka tregon edhe rëndësinë, që Gjimshiti ka te Atalanta.

Mbrojtësi kuqezi vlerësohet me notën 6 në këtë ndeshje. “Me vrapime të shpejta shkon drejt Osimhen për të arritur topin. Në pjesën e parë askush nuk ishte në gjendje ta bënte këtë”, ishte përshkrimi i lojës së Gjimshitit. /vipsport/