Partizani u ndal në barazim 2-2 ndaj Egnatias në një ndeshje që edhe mund ta kishte humbur. Me nëntë lojtarë në fushë, por ekipi I Dritan Mehmetit gjeti forcën dhe shënoi në fund me Stenio Zhuniorin. Megjithatë ky rezultat nuk I kënaq kryeqytetasit për ambiciet që kanë në këtë sezon.

-Interesimi për këtë ndeshje ka qenë vërtet i ulët, pavarësisht pranisë së dy tifozërive në stadium. Numri i të pranishmëve nuk i kalonte 300 spektatorë.

-Herald Marku bëhet gati të kryejë një goditje dënimi, por pas insistimit të teknikut Mehmeti, ai detyrohet t’i lërë topin Malës për të ekzekutuar goditjen. -Sota tërbon tifozët me kthimet e topit mbrapa, teksa në shumë raste mundohej të shkonte drejt zonës së tij për të mbrojtur topin, sesa të niste aksione përpara.

-Në fund të pjesës së parë, Esat Mala shkon tek arbitri dhe i ankohet duke bërë me duar që pësoi një shtyrje. Me shumë gjasa e ka pasur për momentin e golit të pësuar, ku ka pretenduar për faull ndaj tij.

-Në një çast kur loja ishte ndalur, Rrapaj ndodhej pranë pankinës së Egnatias dhe përfiton nga momenti për të kërkuar “borxh” një bidon uji.

-Në momentin e përjashtimit, Eneo Bitri nis të dalë menjëherë nga loja, pa pritur që arbitri t’i akordojë kartonin e kuq pas pamjes në VAR, kjo edhe për faktin se mbrojtësi e kuptoi vendimin që do të merrte gjyqtari.

-Në fund të ndeshjes, lojtarët e Egnatias nuk po u besonin syve për golin e pësuar, teksa u shtrinë në tokë nga dëshpërimi. -Stenio Zhunior u largua menjëherë në dhomat e zhveshjes pas përfundimit të ndeshjes. Në këtë moment, një prej djemve të vegjël që kapin topat pas porte, i kërkon bluzën, të cilën lojtari ia jep.

-Lojtarët e Partizanit ngushëllohen në fund të ndeshjes me pica./PANORAMA-SPORT/