Krejt papritur është ndarë nga jeta në moshën 56 vjeçare ish-mundësi I Vllaznisë Hysen Vejuka. Ai nuk ka mundur t’I rezistojë dot një sëmundje e zemrës e cila I ka marrë edhe jetën në një moshë shumë të re. Vdekja e tij sigurisht që është një humbje e madhe, natyrisht në rradhë të parë për familjen e tij, pastaj edhe për komunitetin e sportit shkodran dhe për mundjen shqiptare. Hysen Vejuka ka qenë një nga mundësitë më të mirë të vendit në vitet ’70 kur ai arriti të shpallet dy herë kampion I Shqipërisë në vitet 1976 dhe 1978 dhe po ashtu ka zënë vende të para edhe në shumë gara të tjera duke qenë pjesë edhe e ekipit kombëtar. Bashkë me të vëllanë e tij të më madh, Isa Vejukën ata krijuan një dyshe vëllezërish shumë të suksesshëm në sportin e mundjes së lirë. Bashkë me Rrok Bardelin, Agustin Mhillin, Tonin Demën, Dedë Bregun, Tasim Rexha etj. Familja Vejuka ka dhënë një kontribut të madh në sportin e mundjes dhe dy vëllezërit sigurisht që kanë punuar dhe sakrifikuar jo pak për të lartësuar emrin e Vllaznisë. Me vdekjen e Hysenit, natyrisht që të gjithë ata që e kanë njohur, janë stërvitur dhe kanë punuar me të, kanë ndjerë keqardhje të madhe. Përkushtimi I tij për sportin e mundjes ka qenë shumë I madh dhe kjo është vërejtur qartë në të gjitha seancat stërvitore dhe ndeshjet e zhvilluara prej tij. Në pak ditë, mundja e lirë shkodrane ka  patur dy momente krejt të kundërta. Një tjetër sportist, Tonin Dema u nderua me titullin “Mirënjohja e Qytetit” dhe me këtë rast në Shkodër u organizua një ceremoni shumë interesante teksa kanë qenë pjesmarrës shumë figura të këtij sporti. Mungonte ndër to Hysen Vejuka, I cili ishte në ditët e fundit të jetës së tij dhe natyrisht lajmi për vdekjen e tij I ka shokuar të gjithë. Me këtë rast, edhe gazeta online www.shkodrasport.com I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Vejuka për humbjen e njeriur të tyre të dashur.