Barazimi me Apoloninë ka lënë shije të keqe në kampin shkodran. Madje jo vetëm Brenda tij por më së shumti në opinionin sportiv të këtij qyteti që nuk mund të pajtohet me të tilla paraqitje të Vllaznisë. I zhgënjyer nga barazimi I fundit është dukur gjatë dhe pas ndeshjes edhe kryebashkiaku I Shkodrës, njëkohësisht edhe president I ekipi Lorenc Luka. Ai është parë të thërrasë, të bërtasë tejet I nervozuar dhe sigurisht që është larguar nga ambjentet e stadiumit “Loro Boriçi” duke mërmëritur me vete mbi kushtet që I ka plotësuar futbollistëve dhe stafit drejtues për të qenë një ekip dinjitoz dhe jo si ai që u shfaq ndaj Apolonisë. Një situatë e tillë sigurisht që do reflektohet me masa ndëshkimore ndaj tyre. Këto masa pritet të jenë ndaj futbollistëve në veçanti. Për trajnerin Shpëtim Duro duket se nuk ka vend për t’u ndalur edhe këtë herë. Të paktën kështu paralajmëron situata e krijuar teksa drejtori sportiv Armir Grima përmend vetëm ndëshkimet e futbollistëve. Në kampionatin shqiptar zakonisht të parët që e pësojnë janë trajnerët. Kemi parë edhe këtë sezon që janë larguar trajnerë që nga java e parë e në vazhdim dhe gjithmonë ata janë të rrezikuar, mjafton një rezultat negativ. Megjithatë për Duron nuk duket të jetë kjo situatë problematike për fatin e tij. Tek Vllaznia aktualisht punohet qetë. Larg presionit të madh që mund të ekzistojë në skuadra të tjera. Kjo duket shumë positive për skuadrën por për kërkesën e llogarisë nuk është kaq mirë. Mungesa e një presidenti të mirëfilltë krijon njëfarë çrregullimi në skuadër megjithatë kjo nuk mund të vazhdojë kështu. Në emër të klubit, ai që ka paralajmëruar masa është drejtori sportiv Armir Grima. “Pasi ta analizojmë me hollësi këtë ndeshje, do dalim edhe në masat e para ndëshkimore që do merren ndaj futbollistëve të veçantë. Secili prej tyre do të paguhet për atë çfarë jep në fushë. Nuk mund të vazhdojmë të paguajmë pa kërkuar llogari. Disa lojtarë që janë në skuadër duket se ende nuk e dinë fanellën e cilës skuadër kanë veshur”- është shprehur ai. Gjërat I ka thënë hapur. Ka qenë një sinjal për atë se çfarë do ndodhë. Kalendari I kuqebluve është I vështirë. Këtë fundjavë do udhëtojë drejt Ballshit Vllaznia dhe një tjetër rezultat negativ, do t’I acaronte edhe më tepër gjërat. Për t’I paraprirë kësaj gjëjë, tek Vllaznia shpejt do hidhet alarmi për situatën e krijuar. 5 pikë të grumbulluara në katër ndeshje, nga të cilat tre në Shkodër, janë shumë pak për një skuadër e cila është ndërtuar për të qenë pretendente. Por me këtë ritëm që ajo e nisi kampionatin, vështirë të jetë në mes ekipeve më të mira të vendit. Prandaj dhe tashmë gjërat do analizohen me hollësi për të parë se çfarë nuk shkon. Ndoshta për të ndëshkuar edhe futbollistët e parë, të cilët mund të shërbejnë si shembull për pjesën tjetër të skuadrës.
Gjergj KOLA