Datën 21.05.2021, në Shkodër, tifozët e Vllaznisë e kujtojnë shumë mirë. Ishte ndeshja e parafundit e sezonit të shkuar dhe luhej kundër Partizanit në “Air Albania”. Shkodranët fitojnë me rezultatin 0-1, duke shpresuar kështu deri në minutën e fundit të edicionit për fitimin e titullit kampion. E kush ishte protagonisti kryesor i asaj fitoreje ?

Ishte Herald Marku, që me penalltinë e tij në atë takim i dha fitoren kuqebluve dhe dërgoi në delir gjithë tifozerinë shkodrane. E të shtunën 25-vjeçari do jetë kundërshtari i Vllaznisë pasi në merkaton e verës vendosi të linte kuqeblutë për tu bashkuar me 16 herë kampionët e vendit. Një aventurë e re për shtatlartin në karrierën e tij.

Pas 2 sezoneve tek Vllaznia, ku sidomos në atë të shkuarin, ku Marku ishte një nga më të dalluarit në kampionat. Mesfushori vendosi të ribashkohej me skuadrën ku u formua si futbollist.

Por ende mëngjërashin realisht nuk e kemi parë në nivelin që tregoi me Vllazninë sezonin e shkuar, pavarësisht se performanca e tij ka ardhur në rritje nga ndeshja në ndeshje.

Ndjenjat patjetër do jenë të përziera për Markun nëse ai do jetë në fushën e lojës. Kjo pasi respekti nga tifozeria shkodrane dhe ambienti i futbollit në qytetin verior janë të mëdha për të. E patjetër këtu edhe përballja me ish-shokët e skuadrës me të cilët përjetoi emocione të mëdha.
Endri ÇINARI