Nuk ka kaluar as një vit që kur Barcelona ndërmori rinovimin e fundit të Pau Cubarsí, por përparimi i tij meteorik e ka detyruar klubin të ulet sërish me agjentët e lojtarit, për ta mbrojtur atë nga ofertat e mundshme të gjigantëve të Europës. Futbollisti i ri tashmë është shtyllë themelore e projektit të Barçës.

Në moshën 16-vjeçare, Cubarsí rinovoi verën e kaluar deri në vitin 2026 (maksimumi 3 vite për një të mitur) dhe ka klauzolë prej vetëm 15 milionë eurosh. Megjithatë, kapërcimi i tij mbresëlënës në ekipin e parë, nën drejtimin e Xavit, e ka konsoliduar atë si një nga qendërmbrojtësit më premtues në Evropë. Barça është e detyruar ta mbrojë atë me një kontratë të re, që do t’i japë statusin e yllit.

Siç ka mësuar “AS”, propozimi i Barçës konsiston në ofrimin e Cubarsít, pasi të mbushë moshën e lejuar më 22 janar 2025, kontratë të gjatë për 5 sezone me pagë progresive: vitin e ardhshëm do të fitonte 4 milionë euro, shifër e cila do të rritet sezon pas sezoni, deri në 12 milionë euro më 2028-2029.

Sa i përket klauzolës së përfundimit, fillimisht ishte parashikuar që ajo të rritet nga 10 në 100 milionë euro, por kjo shumë mund të luhatet, duke mos qenë kurrë më pak se 500 milionë euro. Një shifër që do ta mbronte lojtarin në rast se klubet e tjera do të piketonin qendërmbrojtësin e ri.

Rinovimi i Cubarsí është një prioritet për bordin e Joan Laporta. Si presidenti, ashtu edhe Deco e dinë se e ardhmja e klubit duhet të ndërtohet rreth qendërmbrojtësit të ri në fjalë, së bashku me Lamine, Pedri dhe Gavi. Trajneri Xavi, pasi e pa në Botërorin U-17, nëntorin e kaluar, nuk hezitoi t’i bënte vend në ekipin e parë dhe në vetëm pak muaj është bërë i padiskutueshëm në qendër të mbrojtjes, përkrah Araujos.

Që kur debutoi më 21 janar në La Liga, Cubarsí ka luajtur 15 ndeshjet e ardhshme si titullar, duke u emëruar “MVP” në ndeshjen e tij të parë në Champions League kundër Napolit. Po ashtu ka marrë thirrjen e Luis de la Fuente për të qenë pjesë e kombëtares së madhe spanjolle. Me këtë të fundit debutoi në mars, kundër Kolumbisë, dhe me siguri do të jetë pjesë e “Euro 2024”.

Për më tepër, vlera e tij në treg është rritur nga 500 mijë euro në 25 milionë në 6 muajt e fundit, sipas uebsajtit të specializuar Transfermarkt.