Barazimi 0-0 ndaj Teutës mban Skënderbeun në fundin e tabelës së klasifikimit dhe bën edhe më të vështirë mbijetesën në elitë. Por Skënder Gega, në fjalët e tij për “SuperSport” pas sfidës, theksoi se vazhdonte të besonte se skuadra mund të qëndronte në elitë.

“Erdhëm këtu që të marrim maksimumin që është fitorja. Por të mos harrojmë qe edhe Teuta pavarësisht ulje-ngritjeve, është ekip kampion. Pjesa e parë nuk qe e mirë, toleruam në mesin e fushës. Janë disa mungesa që do na bënim punë, u munduam të bënim maksimumin, do të mundohemi të korrigjohemi në vijim.

Besoj se presioni bën të vetën, unë mundohem t’i qetësoj lojtarët, por është e pamundur nga pista të kontrollosh gjithçka. Berisha pretendon se nuk ka qenë ai faktori i kësaj pune, por është gjyqtari që vendos drejtësi dhe e respektojmë atë që ka bërë. Edhe nëse jemi në hall nuk duhet të tolerojmë gabimet. Tani kemi Meksin që mungoi sot, Frashërin që është me eksperiencë. Ne i duam të gjithë, do të donim t’i kishim të gjithë në dispozicion.

Të gjithë e shohin Skënderbeun të rënë? Nga eksperienca jonë sondazhet nuk funksionojnë. Edhe unë, si kolegët e mi mundohem të bëj më të mirën. Më vjen keq që në ndeshjen ndaj Kukësit bëmë performancë e nuk morëm maksimumin. Sot nuk ishim mirë, janë disa lojtarë që edhe për presion e për faktin se janë pa pushime nuk bënë maksimumin. Por në pjesën e dytë bëmë maksimumin që të bëjmë më të mirën.

VAR-i? Ne jemi në Shqipëri, jetojmë në Shqipëri dhe ka një avokat që e mbron. Është normale që gjërat bëjnë progres dhe këtu shumë gjëra kanë bërë progres. Por kjo nuk do të thotë që është më e mira, kjo nuk më ndihmon për punën. Gjyqtarët gabojnë edhe ne gabojmë edhe pse nuk jemi në presionin e gjyqtarëve. Në Korçë gjyqtari duhej të shihte në atë momentin që pretenduam, atë penallti që u komentua që ishte, aq më tepër kur është VAR dhe të jep siguri për të korrigjuar veten sepse të gjithë gabojnë.

Unë jam i kënaqur që është VAR-i, por ai nuk bëhet me australianë, ata duhet të jenë më të ndërgjegjshëm e të mos gabojnë. U diskutuan shumë gjëra javën e kaluar, por unë asnjëherë nuk do të bëhem pjesë e diskutimeve apo lajmeve.

Përbërja e grupit është e brishtë, ndoshta se është me të rinj. Mos harrojmë që Sadriu e të tjerë janë 21-vjeçarë. Jam munduar t’i jap besim e në të njëjtën kohë të punojmë taktikisht e të luajmë me vendosje që të kemi ekuilibra. Nuk është e thënë që në ndeshje të dalin 100% ata që bëjmë në stërvitje. Por shpresoj e uroj, fola edhe me ekipin që të dalim dinjitozë nga ky kampionat, sido të shkojë puna do të japim maksimumin dhe ky është sport. Në fund i jep dorën më të fortit”, tha Gega.