Java e parë e Superiores për moshat e kishte vendosur Vllazninë U-17 përballë ekipit të Partizanit, teksa të dy skuadrat ndanë nga një pikë ditën e sotme në barazimin 2-2. Një ndër protagonistët e takimit ishte Gerald Kubazi, i cili ka qenë autori i të dy golave për shkodranët në ndeshjen e sotme.

Në një prononcim të dhënë për “Shkodra Sport”, futbollisti i kuqebluve Kubazi, e konsideroi ndeshjen kundër Partizanit si një përballje shumë të fortë, por thotë se ishte edhe ndeshja e parë dhe normalisht, ky është vetëm fillimi. Megjithatë, ai premton maksimumin në takimet e ardhshme, duke nisur nga ndeshja e rradhës me Dinamon.

Poashtu, Kubazi tha se këtë sezon shkodranët do të synojnë të shpallen sërish kampion dhe ashtu edhe si vitin e kaluar, titulli të vijë në Shkodër. Sulmuesi u shpreh se është shumë i lumtur që kampionatin e ri e nisi me një dopietë, ndërsa theksoi se trajneri Gilman Lika ka sjellë një harmoni të madhe tek Vllaznia U-17.

“I lumtur për dy golat, por jo i lumtur për barazimin. Partizani ishte një ekip i fortë, por ne ishim më lart dhe normalisht, ishte ndeshja e parë dhe është vetëm fillimi.

Çfarë ka sjellur Gilman Lika në ekip? Profesor Gilmani ka sjellur një frymë dhe harmoni shumë të madhe si trajner i ri që është, së bashku edhe me profesor Denis Zmijanin.

Ndeshja e rradhës? Ndeshja e rradhës është me Dinamon, me të cilën synojmë fitoren dhe një lojë të mirë.

Synimet personale? Për këtë sezon, synimi im është të dalim në vendin e parë dhe pse jo të dal golashënuesi më i mirë i sezonit, ndërsa për të ardhmen sigurisht që synoj ekipin e parë si çdo futbollist tjetër”,-mbylli prononcimin e tij, futbollisti i Vllaznia U-17, Gerald Kubazi.
Maringlen ZHIVANI