Agim Ibrahimi mund të konsiderohet si goditja e Kukësit në këtë merkato. Futbollisti këtë e ka treguar në disa ndeshje të kampionatit, teksa i ka dhuruar skuadrës një kontribut të madh. Së fundmi, Ibrahimi ka dhënë një intervistë për Klan Maqedonia ku shprehet se Superiorja është një kampionat i fortë.

“Të them të drejtën me shumë kënaqësi e prita dhe pranova ofertën e Kukësit. Drejtor sportiv është Nderim Nexhipi. Para disa vitesh Nderimi më tha të mos e mbyllja karrierën pa luajtur njëherë në kampionatin shqiptar. Dhe tashmë i erdhi koha edhe me shumë dëshirë edhe me shumë kënaqësi pranova ofertën e Kukësit.

Është një kampionat mjaftë i fortë dhe shpresoj një të ardhme shumë të mirë me Kukësin. Me lojën që kanë treguar unë mendoj se vendi i dytë është i hapur për të gjithë. Kështu që dihet se është një grup i vështirë, mirëpo vendi i dytë është i hapur për të gjithë.

Dihet se futbolli sot na ka sjell shumë befasi dhe besoj se edhe Maqedonia mund të befasojë në grupet e Europianit. Unë besoj se do të japin maksimumin, nëse do jem unë i gatshëm do ta ndihmoj me kënaqësi përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut”, u shpreh Ibrahimi. /VipSport/