
Duket e rrallë dhe e veçantë, e sidomos për futbollin shqiptar, aq dhe origjinale dhe tepër domethënëse. Dy prej emblemave të futbollit shkodranë, pas viteve 90-të, e ndër më të mirët në këtë periudhë në futbollin shqiptar, Safet Osja dhe Vioresin Sinani kanë vendosur që t’i japin fund karrierës së tyre në fushën e blertë përmes një ndeshje lamtumire në stadiumin “Loro Boriçi”. Interesant ka qenë fakt, se ka qenë një ide e vetë Osjes, inisiativë e tij, që ka kërkuar edhe mbështetjen e Sinanit, për të organizuar një ndeshje miqësore-lamtumire në stadiumin, ku për mbi 15 vite kanë dhuruar dhe përjetuar emocione të mëdha, pra në Shkodër. “Kisha një ide, meqë dhe Sinani zyrtarisht është tërhiqur nga futbolli në fund të këtij sezoni, e po ashtu dhe unë, të organizonim një ndeshje miqësore-lamtumire, në stadiumin “Loro Boriçi”, duke ndërtuar dy skuadra të brezit tonë, ku njërin ekip të ishte Sinani dhe në tjetrin unë. Ndeshja do të kishte karakter sportiv, duke dhënë dhe një shfaqje sportive për të gjithë të pranishmit në respekt të tyre, për gjithë mbështetjen, që na kanë dhënë vazhdimisht, kur ne ishim në fushën e blertë ndaj çdo kundërshtari. Mendoj se do të ishte diçka e bukur, pavarsisht se çfarë mund të organizojë bashkia apo klubi. Jam nisur edhe nga fakti se është diçka e veçantë, pasi ka qenë një inisiativë e jona dhe të shohim nëse do ta realizojmë në të ardhmen apo jo”, ka pohuar 37-vjeçari Osja, i cili në dy vitet e fundit ka qenë pjesë e Adës së Velipojës, ku edhe i është ofruar tanimë, posti i drejtorit teknik tek kjo skuadër. Ndërsa Sinani, në sezonin që sapo u mbyll, ishte pjesë e Vllaznisë, duke qenë në rolin e zëvendës-trajnerit, por edhe si lojtar. Gjithsesi ideja e Osjes ka qenë shumë e veçantë dhe tepër interesante, edhe nëse nuk realizohet. Pra një nismë personale për të “kurorëzuar” mbylljen e karrierës sportive si futbollistë, e për t’iu përkushtuar më pas, asaj të trajningut.
Mejdan ZHIVANI