Humbja në finale ndaj ekipit “Farka Volej” nuk i ka lënë ndonjë shije shumë të hidhur trajnerit të ekipit të të rinjve të Vllaznisë në volejboll Mirjan Rrahishta. Ai ka qenë i vetëdijshëm për diferencën me ekipin kampion. Ndoshta jo në cilësi por në organizim dhe në mbështetje. Duke folur në lidhje me këtë ndeshje, ai do të shprehej: “Sigurisht që e prisja një humbje të tillë sepse në pamje të parë diferencat mes dy ekipeve ishin të mëdha. Diferenca që dalloheshin që në pamje të jashtme të sportistëve. Sportistët e Vllaznisë me rroba civile, ata të Farkës me kostume sportive cilësore.

Këta tonët hyjnë në ndeshje me nga një sanduiç dhe menjëherë nga rruga sepse kanë udhëtuar brenda ditës nga Shkodra ndërsa kundërshtarët e tyre nga restoranti. Volejbollistët e Vllaznisë udhëtojnë me paratë e veta, të Farkës kishin secili nga 250 mijë lekë të vjetra rrogë. Pa harruar mbështetjen e tifozëve, të Farkës ishin rreth 500 vetë në pallat të sportit ndërsa tonët vetëm 10 vetë që na ndjekin kudo. Në kushte të tilla shumë të pabarabarta, natyrshëm që fitoi ekipi më i mirë, ekipi që kishte investuar më shumë”. Por megjithatë, trajneri Rrahishta është i bindur se këta volejbollistë të rinj të Vllaznisë kanë të ardhme. Ajo që e shqetëson atë është vetëm mosperspektiva e ndryshimit të gjërave. Gjashtë nga volejbollistët e këtij ekipi, tashmë kanë mbushur moshën dhe do kalojnë me ekipin e të rriturve dhe natyrshëm që kanë cilësi të mira që do ta ndihmojë këtë skuadër, por vetëm kaq. Volejbolli shkodran shumë shpejt do të ndjejë sërish shqetësimin e largimit edhe të këtyre të rinjve për tek skuadrat e tjera sepse Vllaznia nuk i ofrona asgjë.
Gjergj KOLA