Trajneri i ri i Vllaznisë Shpëtim Duro ka folur për herë të parë si trajner i kësaj skuadre. Në një intervistë për të përditshmen sportive “Panorama Sport”, ai ka dhënë disa nga detajet e planeve të tij të ardhshme. Gazetari Jetmir Halilaj e ka ngacmuar për shumë gjëra megjithatë ai është përgjigjur shkurt. Kuptohet ende nuk është prezantuar dhe nuk ka firmosur megjithatë ka filluar të mendojë si trajner i Vllaznisë. Ndoshta nuk është shumë normale që të parën intervistë si trajner i kësaj skuadre ta japë nga Tirana megjithatë ai ka folur tashmë. Ja intervista e plotë dhënë për këtë gazetë:
Z.Duro, a firmosët sot?
Jo, ende, por është formalitet. Çdo të thotë të jesh trajner i Vllaznisë? Përgjegjësi e madhe. Kënaqësi gjithashtu por, mbi të gjitha, përgjegjësi.
Pse, Vllaznia është piacë e lartë, por përgjithësisht një klub i qetë…?
As nuk e vë në diskutim, por ama është një klub ambicioz që kërkon sukses, sepse ka shkruar historinë e futbollit tonë.
U menduat gjatë për ta pranuar Vllazninë?
U mendova aq sa e kisha të nevojshme. Por, në fund thashë: e treta e vërteta.
Pse e treta?
Sepse nuk ishte hera e parë që merrja oferta nga Vllaznia. Më kishin kontaktuar edhe tri vite më parë, por unë u kisha dhënë fjalën drejtuesve të Besës dhe nuk mund të ndryshoja vendim. Më pas më kontaktuan pas largimit tim nga Skënderbeu, por gjykova se ishte shumë herët dhe nuk u futa në bisedime. Ndërsa tani u përputhën kushtet për të nisur një projekt së bashku. Vllaznia kaloi një sezon të vështirë, jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në atë administrativ.
Ju shqetëson kjo?
Unë jam trajner, nuk hyj në çështjet administrative.
Po, por ato ndikojnë direkt në punën e stafit dhe lojtarëve…
OK, dakord, por mendoj se te Vllaznia mund të punosh mirë dhe është një ambient sportdashës që ta lehtëson punën. Sezonin që shkoi shkodranët për pak rrezikuan zonën “play-off” dhe kjo erdhi prej problemeve të shumta që patën.
Juve nuk ju shqetëson kjo?
Dakord, skuadra dhe klubi patën disa probleme, por kjo ndodhi edhe për shkak të një viti tranzitor për shumë klube elite, pasi ndryshuan edhe format ligjore të klubeve. Megjithatë, unë nuk mund të hyj në detaje në këtë pjesë, sepse përgjithësisht punoj duke u bazuar te një plan i imi, i cili i referohet gjithnjë situatës që më rrethon.
Cili është plani juaj?
Dua të ndërtoj një skuadër të mirë, me qëllim që Vllaznia të rikthehet në vendet e para në klasifikim, por të jetë gjithashtu edhe një grup solid edhe për të ardhmen.
Si keni ndër mend ta bëni këtë?
Së pari, duhet të ulem dhe të bisedoj me drejtuesit e klubit. Të shohim mundësitë që kemi për merkaton dhe të përpiqemi të afrojmë lojtarë sa më cilësorë.
Në gjykimin tuaj, çfarë i duhet momentalisht kësaj Vllaznie?
Unë e kuptoj se ju gazetarët keni qejf emra të përveçëm, por kjo është e pamundur për t’u thënë tani. Unë mendoj se Vllaznia ka nevojë për të paktën shtatë apo tetë futbollistë cilësorë dhe të disiplinuar, me të cilët mund të luftojë si e barabartë me skuadrat e tjera të elitës.
Ku do t’i gjeni këta lojtarë?
Ku të mundemi. Ne vërtetë kemi një futboll disi modest, por ju siguroj se ka mjaftueshëm lojtarë të mirë për të ndërtuar një ekip konkurrues.
Futbollistët do jenë të huaj, apo vendës?
Unë përgjithësisht jam mbështetur te futbollistët shqiptarë ose tek të huajt që kanë luajtur në Shqipëri. Këtë e kam bërë për faktin se ata e kanë më të thjeshtë të përshtaten me futbollin dhe mentalitetin tonë.
Ju gjithashtu jeni mbështetur shpesh te një grup lojtarësh si Shehi, Shkëmbi, Xhafaj, Vrapi…
E di e di ku doni të dilni, por ju siguroj se nuk do të më nxirrni asnjë emër (qesh). Nuk mund të flasim për merkato, për aq kohë sa nuk jam ulur me drejtuesit.
A nuk është pak mbrapa Vllaznia?
Po, mendoj se është pak mbrapa, nëse e krahasojmë me Skënderbeun, Tiranën dhe Flamurtarin. Këto skuadra e kanë një bosht futbollistësh tashmë dhe duhet të bëjnë pak ndryshime. Ne na duhet një punë më e madhe.
Ju tremb ky fakt?
Aspak. Nuk është hera e parë që e bëj këtë. Te Besa e ndërtova skuadrën thuajse nga fillimi, me të cilën u shpallëm nënkampionë dhe fituam Kupën e Shqipërisë. Ajo skuadër kishte një të ardhme të madhe, por shumë lojtarë në fund të sezonit ikën te Skënderbeu. Sigurisht, këtë e bëra me përkrahjen e fortë të drejtuesve. Edhe te Skënderbeu vjet bëra ndryshime thelbësore. U afrua Xhafaj, Gvozdenoviç, Orelesi, Allmuça. Donim Plakun që më pas shkoi në janar. Dua të them se nuk më tremb ideja se do të më duhet të ndërtoj një skuadër. Mjafton të kem mbështetje.
Z.Duro, juve ju konsiderojnë si një trajner difensivist (mbrojtës), por shkodranët kanë qejf futbollin e bukur. Si do ia bëni që të fitoni simpatinë e tyre?
Së pari, nuk jam difensivist, por jam ekuilibrist. Pra, kam dëshirë që skuadra të jetë e balancuar nga porta deri në sulm. Për këtë luftoj gjithnjë. Sa u përket tifozëve, unë ju siguroj se të gjithë mbështetësve në botë u pëlqen që skuadrën e tyre ta shohin gjithnjë në kreun e klasifikimit dhe të shohin gjithnjë një ekip konkurrues. Unë do shpresoj që ta arrij këtë me Vllazninë dhe do të punoj fort.
Kur do ta shohim Vllanzinë e Duros?
Besoj pas një muaji. Deri atëherë do të jenë vendosur piketat e para dhe do ketë nisur edhe puna intensive për ndërtimin e skuadrës.
Çfarë do t’ju thoshe tifozëve të Vllanzisë?
Dua që ta mbështesin skuadrën dhe të kenë besim, sepse do bëjmë të pamundurën, së bashku me drejtuesit që të kemi një ekip sa më dinjitoz dhe që të konkurrojë me skuadrat e tjera që synojnë kreun.
Cili është objektivi që ju kanë vënë drejtuesit?
Mendoj se përgjigjen më të saktë të kësaj pyetjeje mund t’ua jap vetëm pasi një muaji. Pra të kemi parë se çfarë kontingjenti kemi, çfarë mund të ndryshojmë në ekip dhe çfarë potenciali do të ketë skuadra.