Sinan Idrizi heq presionin para derbit. Paralajmëron një ndeshje të bukur dhe të qetë kundër Labërisë, ndonëse luhet për kreun dhe ngjitjen. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, administratori lëshon një “kunj” për kundërshtarët. Ai pohon se futbollistët dhe trajnerët kanë “gen” kuqezi dhe janë më shumë me Flamurtarin sesa me Labërinë. Numri një i vlonjatëve shpreh bindjen se në sezonin e ri, tri skuadrat e Vlorës do të jenë në Kategorinë e Parë.
”Flamurtari nuk është aspak në presion për ndeshjen me Labërinë. Lojtarët e Labërisë janë të dalë nga akademia e Flamurtarit. Ata të gjithë janë kuqezinj brenda, pavarësisht ngjyrave që kanë jashtë.
Pyesni njëherë trajnerët e Labërisë, do t’ju thonë se janë me Flamurtarin. Kam bindjen se do të jetë një derbi i bukur dhe i qetë. Do të jetë model. Do të luhet futboll i bukur. Shyqyr që kemi një derbi në Vlorë. Jam shumë i bindur se vitin tjetër do të kemi tri ekipe nga Vlora që do të ngjiten në Kategorinë e Parë.
Te Labëria duhen lavdëruar pasi është një ekip i ri, pavarësisht se në përbërjen e tyre kanë lojtarët tanë, trajnerët tanë. Të gjithë ata kanë genin kuqezi. Ne krenohemi me punën e tyre. Do të kenë një mikpritje të jashtëzakonshme në stadiumin tonë. Do të jetë një ndeshje që ia vlen të ndiqet. Do të jetë një takim i bukur dhe me shumë grintë”, shprehet fillimisht Idrizi.
PREMIO PËR DERBIN
Administratori “driblon” premion për të mbajtur më me këmbë në tokë skuadrën. Kreu i klubit thotë se shpërblim do të ketë, por nuk lidhet aspak me emrin e Labërisë. “Labëria mund të vendosë premio për ne. Flamurtari nuk ka shanse që të vendosë shpërblim për Labërinë… Unë e kam thënë që pas 3 apo 5 fitoreve, lojtarët do të marrin premio.
Por për Labërinë jo, nuk ka premio. Labëria është pjesë e Vlorës. Patjetër që shpërblim do të kenë për çdo 3 apo 5 fitore rresht”, tha numri një i klubit, ndonëse e kundërta do të ndodhë. Në rast fitoreje të derbit, futbollistët do të kenë superpremio.
NGJITJA NË ELITË
Sinan Idrizi e ndien detyrim ngjitjen e Flamurtarit në Kategorinë Superiore. Sipas angazhimit, kjo ditë do të jetë e afërt. Të gjithë objektivat të çojnë te ngjitja në vitin 2023, në kuadër të 100-vjetorit të klubit. Administratori flet me kode për ringjitjen e skuadrës: “Flamurtari ka një kod 2023. Rreth këtij kodi rrotullohet gjithçka”.