Sot, në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit është bërë një mbledhje mes sekretarit të përgjithshëm, Ilir Shulku si dhe dizejnatori i arbitrave, Sokol Jareci. Të pranishëm kanë qenë të gjithë gjyqtarët e kampionatit shqiptar të cilët janë përballur me kritika të shumta, për shkak të gabimeve të bëra gjatë këtyre javëve, kryesisht në Superiore.

Burime të besueshme tregojnë për newsport.al që tonet kanë qenë të larta nga sekretari Shulku si dhe shefi i sektorit të arbitrimit, Jareci. Të dy kanë kërkuar korrektësi nga ana e bilbilave.

Të njëjtat burime tregojnë se janë kritikuar në mënyrë të veçantë, Andi Koçi që gjykoi këtë fundjavë Kukësi – Bylis për penalltinë e dhënë si dhe Olsid Ferataj për ndeshjen e 3 javëve më parë mes Partizanit dhe Kukësit përfunduar 1-3. Nëse vijojnë të gjykoj njësoj, të dy janë paralajmëruar për t’u përjashtuar nga arbitrimi shqiptar.

Mbledhja ka zgjatur për rreth 3 orë duke u analizuar rast pas rasti. Në fund të gjithë gjyqtarëve u është kërkuar përqëndrim maksimal dhe gabimet do të jenë të patolerueshme pasi janë javët e fundit dhe mjaft vendimtare për verdiktet e Superiores e kategorive të tjera inferiore. /Newsport/