Eni Imami, mbrojtësi i Dinamos, nuk ka frikë të pranojë se blutë kanë hyrë me ambicie të larta në këtë edicion, edhe pse bëhet fjalë për rikthimin në elitë pas shumë vitesh. Në “Sport News Plus” ai foli për objektivat e bluve, por edhe për ndeshjet e skuadrave të tjera.

“Dinamo i mungonte prej shumë kohësh Superiores. Unë falënderoj presidentin e klubit se do guxim të marrësh një ekip që është pothuajse i harruar, që të investosh e ta ngjitësh. Unë nuk jam bërë pishman që jam larguar nga Vllaznia. E di që do të dalë për mirë se jam te ekipi që dua.

Një ekipi si Dinamo nuk i shkon të jetë pa pretendime, synojmë titullin kampion se e dimë që është e vështirë, ka shumë ekipe me pretendime. Ne do t’i shkojmë deri në fund, të dy trofetë, edhe Kupa të jep kënaqësi. Kemi keqardhje për derbin se jam shumë i bindur, të gjithë janë të bindur se me 11 lojtarë do të kishim fituar derbin”, tha Imami.

Mbrojtësi theksoi se rivaliteti në këtë sezon do të jetë i jashtëzakonshëm. “Edhe Partizani nuk ka ecuri të mirë, por sipas meje do të jetë pretendent. Është ekip i fortë, siç është Laçi, Teuta e Vllaznia. Diferencat mes skuadrave janë shumë të vogla. E kam thënë që kur mbaroi ai Skënderbeu i bukur, të gjithë ekipet e tjera janë të barabarta”, tha Imami.

Ndërkaq, Imami i doli në mbrojtje Mevlan Adilit, protagonistit të ndeshjes mes Skënderbeut dhe Vllaznisë. “Nuk e di çfarë ka ndodhur. Nuk kam punuar me Memellin dhe nuk e njoh Zguron, por kam qenë shok skuadre me Adilin. Flas me siguri të lartë se Adili nuk ka asnjë lloj faji. Nuk është impulsiv, se përndryshe do e kishte treguar edhe një herë tjetër”, tha Imami.