Superndeshja e parë e këtij sezoni në Serie A, përballja mes Lazios dhe Interit është fituar nga skuadra e Sarrit me rezultatin 3-1. Bardhekaltërit mbyllin pjesën e parë në avantazh të një goli dhe në pjesën e dytë shënojnë edhe dy gola të tjerë shumë të bukur me Luis Alberto dhe Pedro, që zhvlerësojnë golin e barazimit të përkohshëm të shënuar nga Lautaro.

Lazio fiton sfidën e parë direkte me një rival për titull dhe ngjitet e vetme në krye të renditjes së Serie A, ndërsa Interi pëson humbjen e parë sezonale në kryeqytet.

Një pjesë e parë e bukur është zhvilluar në “Olimpico” në sfidën mes Lazios dhe Interit. Zikaltërit e nisin ndeshjen më mirë dhe krijojnë disa raste shënimi, por me kalimin e minutave bardhekaltërit fitojnë terren dhe rrisin lojën e tyre, madje arrijnë të kalojnë edhe në avantazh, falë një goli të shënuar nga Felipe Anderson, që mposht me kokë Handanovic pas një asisti të dhënë nga Milinkovic.

Interi nis shumë mirë pjesën e dytë dhe barazon menjëherë rezultatin me Lautaro Martinez. Rikthehet baraspesha në “Olimpico” dhe tashmë janë zikaltërit ata që dominojnë dhe i afrohen golit të avantazhit me Dumfries.

Loja është e bukur dhe të dyja skuadrat kërkojnë të shënojnë golin e fitores. Është Luis Alberto ai që kalon Lazion në avantazh falë një supergoli. Spanjolli godet nga jashtë zone dhe dërgon topin në trekëndësh. Një tjetër spanjoll gjen rrugën e rrjetës për Lazion. Pedro shënon golin e tretë dhe në stadium fillon festa.

Interi mundohet të reagojë në minutat e mbetura, por nuk arrin që të evitojë dot humbjen e parë sezonale në “Olimpico”./oversport/