Veleçiku e ka mbyllur këtë sezon në Kategorinë e Dytë para pak ditësh, duke mos arritur dot synimet që ishin vendosur në fillim të sezonit. Ekipi koplikas u mposht nga Valbona 2-1 në ndeshjen e “play-off”-it, të vlefshme për Grupin A dhe në këtë mënyrë, kjo skuadër nuk arriti dot të avancojë më tej.

Megjithatë, trajneri i Veleçikut, Dritan Smajli, është i lumtur me atë që dha skuadra e tij gjatë këtij sezonit të Kategorisë së Dytë. Në një intervistë për “Shkodra Sport”, tekniku lezhjan tha se është munduar t’i përcjellë futbollistëve pak nga natyra e tij për sa i përket grintës dhe agresivitetit në fushë, teksa duket se një gjë të tillë arriti ta kryejë më së miri.

Trajneri Smajli u shpreh se nga drejtuesit e Veleçikut atij nuk i ishte vendosur një objektiv i qartë për këtë sezon që po lëmë pas, ndërsa theksoi se në rast të një projekti serioz, ai do ta vijonte sërish punën e tij në Koplik. Megjithatë, më poshtë mund të lexoni intervistën e tij për gazetarin e “Shkodra Sport”, Maringlen Zhivani.

-Smajli, mbyllët një sezon me Veleçikun ku në fakt nuk arritët dot të përmbushni synimet që kishit nga fillimi i sezonit, por gjithsesi kemi parë një skuadër më me shumë grintë në fushë, i kënaqur nga ky sezon?

Në përgjithësi, jam i kënaqur për atë çfarë dhanë djemtë gjatë gjithë kampionatit. Jam munduar që secilit futbollist t’i përcjell pak nga natyra ime për sa i përket grintës, dëshirës dhe agresivitetit në fushë. E vërteta është që në fakt kur mora skuadrën, nuk është se më vendosi dikush nga drejtuesit një objektiv të qartë, përveçse më është thënë puno dhe bëj sa të mundesh. Objektivin ja vendosa vetes për të dalë në Kategorinë e Parë, por jo çdo gjë ishte në dorën time dhe të djemve.


-Ju vjen keq që vetëm për pak nuk arritët të ngjiteshit, qoftë nga kampionati apo edhe nga ndeshjet e “play-off”-it?

Realisht më vjen keq, sepse ndërtuam një punë të jashtëzakonshme me këta djem që m’u përgjigjen deri në pikën e fundit. Në fakt, sakrifikuam shumë, pasi siç e dini ne ishim shumë të limituar në përzgjedhje, pasi në janar na u larguan gjashtë futbollistë formacioni. Ndërkohë që, nuk u afrua asnjë dhe prandaj them që u bë shumë për të arritur deri aty ku arritëm, por nganjëherë jo çdo gjë vendoset në fushë, pavarësisht që ishim ekipi më korrekt, si brenda edhe jashtë fushe. Poashtu, ishim ekipi më modest në buxhet, mos të them me buxhetin më të ulët se mbi gjysma e skuadrave të tjera.

-Smajli, nëse mund të bëjmë një bilanc të këtij sezoni, cila fazë ishte më e mira e juaja dhe cila ishte më vendimtarja nëse mund të themi kështu?

Padiskutim, faza e dytë edhe pse me vështirësitë që përmenda më lart, por faza e dytë ka qenë me të vërtetë e jashtëzakonshme, me 10-fitore dhe një barazim. Ishim skuadra më e mirë, pavarësisht se ishim të limituar në futbollistë dhe në buxhet që nuk mjafton nganjëherë edhe për t’u grumbulluar qoftë edhe para ndeshjes, siç ndodhi para ndeshjes me Valbonën, ku ne nuk patëm mundësi t’u grumbullonim para ndeshjes. Këto janë detaje që në fund bëjnë edhe diferencën.

-Kemi parë që pas ndeshjes ndaj Valbonës, keni pasur shumë ankesa ndaj arbitrit kryesor Blerim Ziri, a ndikoi gjyqtari në këtë ndeshje ose më saktë, a ishte përcaktues në rezultatin e këtij takimi?

Në fakt, shumë rrallë jam marrë me arbitra ose aspak, sidomos këtë kampionat, por më besoni se Blerim Ziri na hëngri hakun. Ai u bë përcaktues në mbarëvajtjen e ndeshjes dhe kulmi arriti kur më nxorri nga fusha pa thënë asnjë fjalë, fakt që tregon që emri im nuk ka shkuar fare në Komisionin e Disiplinës, por ai e bëri për të ulur moralin e skuadrës time. Ai që e ka parë ndeshjen, ka parë që vetëm Veleçiku nuk duhet të fitonte, sepse ishim skuadra më e rrezikshme kundrejt Lushnjës në ndeshjen finale dhe Lushnja kundër Valbonës e kishte më të thjeshtë.

Megjithatë, Ziri bëri atë që bëri dhe nuk besoj që do flejë rehat me atë që i bëri Malësisë së Madhe. Më vjen që çdo gjë ishte paracaktuar aq shumë, sa miqtë e mi e dinin tre ditë para që do ishte ky arbitër dhe më kishin sinjalizuar që do ju dëmtojnë, sepse nuk duhet të ishim ne Veleçiku, kundërshtarët e Lushnjës.


-Smajli, kaluat një përvojë pozitive tek Veleçiku që në sezonin e parë tuajin në Koplik, do të vijojë puna juaj e palodhshme tek ky ekip?

Në fakt, do pushoj disa ditë, pastaj të shohim. Në qoftë se, do të ketë projekt serioz pse jo, mund të vazhdoj. Në të kundërt, do të shoh se ku mund të jem.


-Në fund për ta mbyllur, çfarë mund të bëhet ndryshe sezonin e ardhshëm në hallkat e funksionimit tek Veleçiku për një të ardhme më të mirë të këtij ekipi, qoftë edhe ngjitja në Kategorinë e Parë, si me ju nën drejtim, ashtu edhe nëse nuk do të jeni ju?

E para është stadiumi që është kryesorja. Duhen me patjetër futbollistë cilësorë, pasi Shkodra ka plot. Duhet rritur buxheti, pasi nuk mund të luajë një futbollist për 250-mijë lekë të vjetra në 2023. Një rrogë të tillë është turp ta dijnë njeri, sepse as shampoo nuk i dalin. Nuk mund të pretendosh kaq shumë kur ke buxhet 80-milionë lekë. Ndërkohë, kundërshtarët tanë, Vora dhe Valbona, kishin katërfishin apo pesëfishin tonë. Klubi i Veleçikut ka nevojë për ndërhyrje dhe ndryshime, në qoftë se duan të jenë klub profesionist.

-Faleminderit Smajli dhe të uroj suksese në vazhdim!

Faleminderit edhe ty Maringlen për gatishmërinë. Shumë rrespekte!
Maringlen ZHIVANI