Artet marciale tashmë janë një realitet edhe në sportin shqiptar dhe atë shkodran. Një nga njerëzit që i ka dhënë një shtysë të madhe përpara në dekadën e fundit atyre është padyshim Elion Puka. Kryesisht me sportin e taekondosë, por jo vetëm, ai jo vetëm e ka masivizuar shumë këtë sport por ka arritur edhe shumë rezultate të larta.

Në një intervistë dhënë “Shkodra Sport” me gazetaren Fabiola Caka, trajneri Puka ka folur ndër të tjera edhe për synimet e së ardhmes dhe objektivat që ai i ka vënë vetes. Për më shumë lexoni intervistën e dhënë për gazetën tonë:

– Elion, çfarë ju shtyu të merreshit me taekondo?

Ishte një deshire e brendshme që ka lindur me mua. Që i vogël kam qenë i apasionuar mbas arteve marciale. Ato që merrja si shembull janë: babai im i cili ka punuar për një kohë shumë të gjatë në policinë e shtetit, gjithashtu filmat aksion me aktorin tim të preferuar Van Damme.


– Keni krijuar Akademinë e taekondosë Vllaznia. Cila ishte arsyeja?

-Në objektivat e mia ka qenë që në moshë të re por formë konkrete ka marrë në vitin 2013 kur u ktheva përfundimisht nga Italia për të rihapur ekipin e Vllaznisë pas një eksperience 13 vjeçare.

Të jeshë pjesë e ekipit të Vllaznisë, është ëndrra e çdo sportisti dhe trajneri që ka gjak shkodrani. Jemi rritur dhe edukuar me atë idenë që të mbash logon e Vllaznisë në gjoks, është krenari dhe duhet vlerësuar në maksimum. E njëjta frymë vazhdon të përcillet edhe ndër brezat e rinj që po vijnë.

– A ka interes nga te rinjtë dhe të rejat për tu marrë me taekondo?

Patjetër që po. Janë shumë të rinj dhe të reja që frekuentojnë rregullisht ekipin e Vllaznisë. Taekondoja është sporti që më së miri përshtatet për to.

Eshtë ndër sportet individuale që ka një masivizim mjaft të gjerë në Shqipëri.Vetëm nga ekipi jonë janë gati 150 sportistë aktivë. Fillojnë nga mosha 4 vjeç e më lart ku ndër to 30% janë vajza dhe 70% djem.

– Cilët janë elementët të cilët po spikasin aktualisht në Akademi?

Kemi disa elementë mjaft të mirë ku synimi kryesor është olimpiada e ardhshme. Ndër to mund të përmendim tek vajzat Enisa Shabaj, e cila ka rezultate të shkëlqyshme në çdo aktivitet ku ka marrë pjesë. Ajo është disa herë kampione kombëtare, ndërkombëtare dhe sportistja më e mirë teknike në shumë kompeticione.

Shpresojmë të jetë një “Majlinda Kelmendi” e ardhshme e Shqipërisë. Pastaj janë disa të rinj dhe të reja të tjerë që kanë potencial mjaft të mirë për të ardhmen.

– Çfarë rezultatesh keni arritur deri më tani në krye të Akademisë?

Aktualisht jemi kampion Shqipërie me disa grupmosha, nga fëmijët deri tek të rinjtë. Rezultatet më të mira individuale i kanë arritur Raisa dhe Rais Sallagaj, vend të 2-të dhe të 3-të në Ballkan. Gjithashtu Dorian Dokaj kampion ballkani.

– Cilat jane objektivat per te ardhmen?

Olimpiada padyshim eshte synimi jone. Kjo eshte ëndrra jonë më e madhe që presim të bëhet realitet.
Gjithashtu ndër objektivat tona të mëdha eshte masivizimi i sportit te taekëondo’s sa më shumë që të jetë e mundur.

Shumë shpejt presim të hapet një tjetër qendër e arteve marciale në Bushat,me drejtues njëri nga sportistat tonë të talentuar Nikolin Perzefi.
Intervistoi: Fabiola CAKA