Besa e Kavajes është një nga emrat e shquar të futbollit tonë ndër vite. Por prej disa sezonesh verdhezinjtë qëndrojnë në Kategorinë e Parë. Megjithatë kampionatin në Kategorinë e Parë këtë sezon ata e kanë duke marrë 4 pikë në dy javët e para. Pikërisht për startin pozitiv të Beses, por edhe situatën e Vllaznisë ka folur për “Shkodra Sport”, lideri i ekipit kavajas, mesfushori shkodran, Alsid Tafili.

– Alsid, një start pozitiv i Beses këtë kampionat. Si duket situata në skuadër këtë fillim sezoni dhe objektivat tuaj?

Situata është me të vërtetë pozitive, ku kemi marrë 4 pikë, por mund të merrnim edhe maksimumin ndoshta po të kishim pasur pak më shumë kujdes. Gjithsesi na jep motivim dhe shtysë për ndeshjet e tjera fakti që po intepretojmë lojën në mënyrën e duhur dhe skuadra gëzon një harmoni dhe po ashtu cilësi.

Objektivat janë me patjetër vendet e para të renditjes. Duke parë grupin që kemi patjetër besoj se do jemi deri në fund në garë për vendet e lart tabelës. Edhe klubi ka synime të mëdha duke qenë një emër i madh i futbollit tonë dhe që ka disa vite që i mungon Superligës.


– Kampionat i fortë parashikohet ky i këtij sezoni në Kategorinë e Parë. Ku formula me 16 ekipe duket se e bën garën më të “zjarrtë” apo jo?

Kampionati mendoj se është më i fortë se vitet e kaluara. Shumë skuadra janë forcuar dhe po tregojnë formë të mirë. Por mendoj që ata që kanë më tepër eksperiencë dhe cilësi do e kenë disi më të lehtë. Këtë sezon do ketë përballje shumë të forta dhe kush do tregojë më shumë stabilitet do ketë sukses.

– Flasim pak për Superligën. Në fundjavë Vllaznia shkon në transfertë përballë Partizanit. Si një “ish” i dy skuadrave si e parashikoni dhe komentoni këtë përballje?

Në fundjavë besoj se do shohim një ndeshje shahu. Pasi të dy ekipet do kërkojnë që të mos humbasin dhe të gabojnë sa më pak. Vllaznia po gëzon një formë të mirë sipas meje ku spikat sulmi. Sidomos në kundërsulm Vllazninë e shoh shumë të rrezikshme. Partizani nga ana tjetër nuk ka pasur ndonjë stabilitet në lojë apo rezultat, por besoj do kërkojë reagim. Gjithsesi janë dy skuadra të cilat i shoh pretendentë në këtë sezon.

– Gilman Lika u tërhoq zyrtarisht nga futbolli i luajtur ditën e shtunë. Dy fjalë për kolegun tuaj në vite?

Sa për shokun brenda, por edhe jashtë fushës Gilmanin (Lika) i dha fund një karriere shumë të pasur ku arriti të realizonte ëndrrat e tij. Duhet të jetë një shembull për brezat e rinj të futbollistëve sot. Një futbollist dhe person që gjithmonë arriti çdo gjë vetëm falë punës dhe sakrificës. I uroj suksese të tjera në karrierën e tij të trajnerit tashmë.
Intervistoi: Endri ÇINARI