Skuadra e Orikut do jetë pjesë e Kategorisë së Parë sezonin që vjen. Bregdetarët mundën në sfidën Play Off, ekipin e Pogradecit me rezultatin 1-2 duke realizuar ndoshta deri diku surprizën me ngjitjen në kategori. Një nga protagonistët e skuadrës është edhr Olsi Shema.
Mbrojtësi shkodran në një intervistë ekskluzive për “Shkodra Sport” flet për emocionet e kësaj arritjeje, ku gjithashtu tregon edhe për ambiciet e tij personale, por edhe klubit të Orikut.
-Olsi, si fillim urime për ngjitjen në Kategorinë e Parë…
Ju falenderoj shumë për urimin. Urim që do doja ta ndaja me gjithë njerëzit që punuan dhe arritën që në fund ta kurorëzonin me sukses një sezon plot me vështirësi dhe sfida.
-Emocione besoj për ngjitjen në Kategorinë e Parë apo jo?
Të them të drejtën ishte diçka speciale sepse e arritëm në një rrugë të vështirë nëpërmjet play off. Edhe pse ne ishim me pikë të barabarta me vendin e parë gjatë sezonit të rregullt, por kjo na bëri më të fortë që t’ia dalim në fund.
-Si u ndjetë kur u bashkuat me skuadrën në janar?
Ne jemi dy shkodranë tek Oriku, ku pjesë është edhe Kabir Tahiraga. Të cilin e falenderoj shumë që më ndihmoi të vija këtu dhe kishte përgatitur një ambient pozitiv për mua ku unë u bëra pjesë e grupit shumë shpejt.
-Kthehemi tek ndeshja, pritej ky sukses kundër një skuadre eksperte të Kategorisë së Parë si Pogradeci?
Që nga momenti që u bëra pjesë e ekipit kemi punuar dhe besuar që do ia dalim sepse kemi lojtarë me shumë kualitete të mira në ekip. Sidomos për këtë ndeshje, e kemi analizuar Pogradecin në detaje. Ishte ndeshje e luftuar të them realitetin, por në fund fitorja na buzëqeshi ne dhe ne e prisnim këtë gjë.
-Shpërblimi nga ana klubi ishte i mirë?
A duhet ta them me patjetër këtë gjë? (qesh). Drejtuesit kanë premtuar nga 1 milionë lek të vjetra shpërblim për çdo futbollist për këtë arritje.
-E ardhmja e Shemes në sezonin që vjen?
Tani vera është para e të shohim, por ne jemi tashmë në Kategorinë e Parë sezonin tjetër, që do jetë thuajse si Superliga me ekipe me emër e me potencial. Por do bisedoj me drejtuesit për vazhdimësinë pasi jam i kënaqur me kushtet që klubi na ofron me korrektësi në paga dhe stërvitje shumë të mira. Gjej rastin të falenderoj presidentin Muharrem Jazoj dhe stafin e trajnerëve: Besimir Shabani, Niko Divia, Albano Ameti dhe Albert Haxhija për mbështetjen e tyre. Pa harruar edhe shokët e skuadrë dhe tifozët e Orikut.
Endri ÇINARI