Në emisionin “Fair Play” me Enkelejda Zekon nisi një debat për dhunën e shfaqur në Kategorinë e Parë, në ndeshjen Tërbuni-Turbina. Pati dhe aludine se FSHF-ja e ka ndarë mendjen ta ndëshkojë skuadrën pukjane. Që nuk isha dakord fare.
Edhe unë mbajtja qëndrimin tim, por një ditë më pas kuptova se jam keqkuptuar.

Së pari duam të themi se jemi kundër dhunës në futboll, i urojmë shërim të shpejtë portierit të Tërbunit dhe mos pafshim më të tilla skena në fushat tona të futbollit. Ne duam të ndajmë tifozllëkun, interesat dhe gazetarinë profesionale.
Në atë diskutim nuk kam pasur fare asnjë dyshim për të dënuar me forcë dëmtimin e portierit dhe qëndrimin e arbitrit që nuk e ndaloi lojën.

Pozicioni im mbi këtë ngjarje të dhimbshme ka qenë i qartë: ndërhyrja e lojtarit cërrikas ndaj portierit pukjan nuk ka qenë e qëllimshme, është një përplasje mes shpejtësisë së madhe të portierit për të evituar golin, gjë që e bëri mrekullisht, dhe rrëshqitjes së lojtarit të Turbinës, i cili duhet theksuar se një këmbë e ka ngjitur me tokën dhe tjetrën në njëfarë lartësie por aspak e qëllimshme.

Dëmtimi i portierit është horror, kjo nuk diskutohet, por diskutimi im ishte i sinqertë, i hapur. Po, ka dëmtim.

Ka MOSREAGIM TË MENJËHERSHËM të arbitrit, i cili në një situatë të dëmtimit të portierit vendas në fytyrë duhej të ndalonte patjetër lojën. MENJËHERË! I qëndroj bindjes se ishte një goditje e paqëllimshme, nga një përplasje që i shohim jo aq dendur në ndeshjet me rivalitet të madh.

Nuk e konsideroj dhunë me paramendim, ndaj nuk isha i bindur se lojtari cërrikas duhej të ndëshkohej me karton të kuq. Natyrisht, i verdhi për të ishte plotësisht i merituar.

Po e ilustrojmë këtë rast me Shumakerin përballë Batistonit dhe dëmtimit të rëndë të këtij të fundit. Portieri gjerman e goditi sulmuesin rival në trup dhe ai e mbylli aty karrierën si futbollist. Pra, pasoja ishte shumë e rëndë. Po kështu kemi rastin e ndeshjes Real Madrid-Liverpool, ku Sergio Ramos i nxori shpatullën Salah, por nuk mori fare karton. Dalja jashtë loje e Salah kondicionoi fatin e ndeshjes finale të Champions-it. Megjithatë, askush nuk tha se ndërhyrja ishte e qëllimshme.

Në rastin e Pukës, gjyqtari duket se ka qenë jashtëzakonisht i bindur dhe i qetë se nuk ka pasur ndërhyrje të qëllimshme për të dëmtuar kundërshtarin!!!??? Përse veproi kështu e di ai! Ta shpjegojë ai. Unë mendoj se: Po, duhej ta ndalonte ndeshjen menjëherë sepse u dëmtua portieri.

Meqë në Kategori të Parë nuk ka VAR, mund të shihte vetë portierin e gjakosur dhe të kuptonte çfarë kishte shkaktuar ndërhyrja e paqëllimshme, por me pasoja, duke akorduar karton të verdhë. Kur diskutojmë për të tilla ngjarje duhet të lëmë mënjanë tifiozllëkun, interesat etj.

Drejtori i Tërbunit, Viktor Gjoni, foli me qetësi dhe objektivitet sipas kënvëdhtrimit të vet, por nuk u dakordësova me atë. Ai tha se lojtari i Turbinës nuk deshi ta dëmtonte portierin vendës. Ata u përplasën në rrëshqitje dhe rënie. A ka dëmtime, pasoja? Po, por fusha e lojës ka përplasje të tilla, sepse futbolli është sport burrëror.

Kemi me dhjetëra raste në futbollin botëror kur dikush ka thyer këmbën në fushë, është çarë në kokë etj, por nuk mund të kategorizohet në dhunë. Lojtari që ka shkaktuar faullin nuk është dënuar, as pushkatuar.

Çfarë duhej të ndodhte në këtë rast? Të ndërpritej ndeshja urgjentisht. Mesa pamë, aty nuk kishte fare “security”, as ambulancë (në pamjet e ofruara), pa të cilat nuk mund të fillojë një ndeshje futbolli. Dihet nga të gjithë që siguria në stadium ishte në dorë të policisë bashkiake!!! Kjo nuk është NORMALE!

Gjyqtarët duhet t’i shikojnë mirë këto gjëra. Delegati dhe vëzhguesi nuk duhet të tolerojnë që ndedhja të zhvillohet pa kushte e sigurisë, klubi organizator të marrë masa.Përtej kësaj, për të shpallur fajësi duhen pamje filmike, duhen fakte ,jo opinione sipas interesave. Jo me perceptime, se mund të gabojmë. gaboj edhe unë.

Natyrshëm lind pyetja: a filmohen të plota ndeshjet e Kategorisë së Parë, sipas kontratës nga platforma televizive që e ka marrë përsipër këtë punë, sepse kemi parë vetëm disa sekuanca amatoreske, me gjasë të filmuara me celularë, të ndeshjes Tërbuni-Turbina dhe dëmtimit të portierit?

Me pamje të qarta televizive nuk do të kishte debate dhe dyshime mbi të vërtetën e ngjarjes së Pukës. Nuk mund të nxirren përfundime për diçka që nuk shikohet, nuk mund të dënohet askush pa prova. Viktor Gjoni tha se nuk ka pasur dhunë, ndërsa në protokollin e vëzhguesit dhe gjyqtarëve të ndeshjes pretendohet e kundërta. Aty është shkruar se një person ka goditur me grusht arbitrin anësor nga pas shpine, gjë që në traditën pukjane është pabesi, dënohet dhe me kanun.

Nëse kjo vërtetohet, atëherë ndeshja ka pasur dhunë ndaj “bluzave të zeza”. Pjesa e Tërbunit e mohon dhunën, ndërsa arbitrat dhe zyrtarët e federatës thonë se ka pasur të tillë. Pamjet televizive nuk e ndajnë shapin nga sheqeri, atëherë për çfarë i duhet Kategorisë së Parë platforma televizive përkatëse?

Mund të filmohet qoftë edhe me një kamer të vetme amatore një ndeshje kryesore e parashikuar me rrezik të madh. Në këtë histori, mbi të gjitha një gjë na intereson: Shyqyr që portieri shpëtoi dhe është mirë, pa rrezik për jetën. Ai mos provoftë më dhimbje të tilla. Urojmë që incidente të tilla të mos i shohim më në futboll. Po, dhuna nuk mund të ketë më vend në fushat tona të futbollit, sepse jemi në vitin 2023.

Pretendimet e drejtorit Gjoni se gjyqtari ka vendosur të dënojë rëndë Tërbunin apo përkrahu Turbinën duhen faktuar. Nëse janë të vërteta duhen denoncuar në organet kompetente ligjore. Nevojiten fakte, nuk mund të justifikojmë dhunën dhe pasojën përmes thashethemeve apo zgjidhur me vetëgjyqësi.

Ne si gazetarë nuk jemi palë me askënd, as me federatën, as me lojtarët, as me klubet e ndryshme, por me kërkimin e së vërtetës, e cila nuk pretendojmë të jetë absolute. Ne do të vazhdojmë të raportojmë pa interesa, të pakorruptuar, në emër të futbollit “fair play”, garës së ndershme dhe pa ndërhyrje nga lart. Për rastin në fjalë jemi që të shqyrtohet në të gjithë dinamikën e vet: si ka reaguar portieri, si ka vrapuar sulmuesi cërrikas, si ndodhi përplasja mes tyre, si e zbatoi rregulloren arbitri etj.

Dënojmë qëndrimin absurd të arbitrit, i cili nuk ndaloi lojën. Në të gjithë botën, kur një lojtar dëmtohet, por NË VEÇANTI NËSE PORTERI DËMTOHET, loja ndërpritet AUTOMATIKISHT. MENJËHERË!

E kam thënë dhe në studio që nëse ka një njeri në këtë rast për t’u dënuar, madje me karton të zi, është arbitri i ndeshjes, vetëm për shkakun që nuk e ndaloi lojën. Për pretendimet e pukjanëve, këto le t’i zgjidhin brenda familjes së futbollit. Nëse iu besojnë akuzave se federata ka vendosur për t’i zbritur nga kategoria, atëherë le t’iu drejtohen organeve ligjzbatuese.

Trajneri Ndreu duhet t’iu kërkojë llogari atyre që bënë merkaton, që prishën grupin e vitit të kaluar, me të cilin Tërbuni ishte në top-katërshe.Shumë ndeshje pa fituar? Kush është fajtori?

Së fundi i urojmë shërim të shpejtë portierit dhe fat Tërbunit të Pukës, edhe në respekt të pafund të miqve të mi të shumtë pukjanë. Për më shumë shiko albumin e fotografive. Asnjë ndëshkim me karton as të verdhë të këtyre dëmtimeve horror.