Fitorja e djeshme e Murlanit 7-0 ndaj ekipit Tirana AS, sigurisht që i ka gëzuar të gjithë, por më së shumti nga të gjithë duket se është gëzuar futbollistja e këtij ekipi, Paula Jaku. Ditën e djeshme, ajo ka shënuar golin e dytë të ndeshjes, teksa ka kthyer në gol një 11-metërsh për skuadrën e saj.

Megjithatë, kënaqësia e golit nuk ka qenë e vetmja. Ajo më së shumti, i është gëzuar rikthimit pas 4 muajsh sërish në fushën e blertë, teksa Jaku është shumë e apasionuar pas futbollit.

Në një intervistë për “Shkodra Sport”, ajo ndjehet e lumtur për këtë rikthim dhe gjithashtu edhe për golin e shënuar pas plot 9-muajsh.

“Ky është një nga rikthimet më të bukura të jetës time, në fushën e futbollit, duke qenë se kalova një periudhë pak të vështirë por me përkushtim dhe dëshirë të madhe për të vazhduar bashkjetesën me futbollin u finalizua me një gol dhe shpresoj që të vazhdoj kështu.

Pas çdo stuhie ka gjithmonë diell. Besoj që kjo ishte më shumë një provë për veten time. U desh shumë mund e shumë stërvitje për të perfunduar tek rikthimi e aq më tepër me gol”,-shprehet ajo.

Mirëpo, për këtë rikthim të rëndësishëm në fushën e lojës, Paula ka falënderuar babain e saj, presidentin e Juban Danjës, Ferdinand Jaku, teksa ajo thotë se ai është njeriu që i ka qëndruar pranë në çdo moment dhe e ka inkurajuar për t’u rikthyer sërish në nivele të larta të futbollit të femrave.

“Padiskutim që, mbështetja më e madhe është dhe vazhdon të jetë gjithë familja ime, por në veçanti babi dhe gjej rastin ta falënderoj për cdo gjë e për çdo moment që më ka qëndruar afër në cfarëdo lloj situate. Falënderuese pa fund Zotit e jam krenare që kam një babë të tillë”,-thotë Jaku.

Ndër të tjera, futbollistja e Murlanit flet edhe për skuadrën ku ajo luan, teksa në fund ka edhe një dedikim për golin e shënuar dje.

“I vetmi ndryshim që mund të them nga Juban Danja është vetëm emri i ekipit, pasi për fat të mirë jemi të gjitha vajzat që jemi rritur së bashku, por tashmë në ekipin me emrin Murlani.

E përbashkëta tjetër është e njëjta ngrohtësi familjare, falë stafit të Murlanit dhe padiskutim falë presidentit Përparim Rraboshta. Në fund të sezonit, besoj që do jemi në rënditje në 3-4 vendet e para. Ky është synimi dhe shpresojmë të ia arrijmë.

Goli ishte dedikim për personin që më ka ndjekur dhe mbështetur në cfarëdo lloj situate, për babin normalisht”,-mbylli prononcimin e saj, futbollistja e Murlanit, Paula Jaku.
Maringlen ZHIVANI