Ka luajtur mbi 200-ndeshje me fanellën e Vllaznisë dhe sytë e veshët i ka nga skuadra e tij e zemrës, me të cilën e lidhin shumë gjëra. Fjala është për mesfushorin e njohur, Alsid Tafili, i cili tashmë është edhe në rolin e menaxherit të futbollistëve, por shpesh herë edhe si analist në studio të ndryshme sportive lokale dhe jo vetëm.

Në fakt, duke qenë se Tafili është një “ish” i dy skuadrave që do të ndeshen sot, pikërisht Vllaznisë dhe Laçit, ai vendosi të komentojë dhe të flasë për këtë përballje. Në një intervistë për “Shkodra Sport”, mesfushori shkodran e ka vlerësuar si shumë vendimtare për Vllazninë ndeshjen e sotme ndaj Laçit.

Tafili mendon se Vllaznia duhej të kishte bërë më mirë në kampionat, teksa ka edhe një këshillë për trajnerin Goçe Sedloski, që të ketë disa plane në mendjen e tij për skuadrën dhe jo vetëm një. Për më tepër, lexoni intervistën e tij dhënë për gazetarin e “Shkodra Sport”, Maringlen Zhivani.

-Alsid, sot Vllaznia-Laçi, si një “ish” i dy skuadrave, si e parashikoni dhe komentoni këtë përballje?

Unë kam qenë pjesë e të dyja skuadrave, normalisht për më shumë vite për Vllazninë. E parashikoj një lojë shumë të luftuar, por që ekipet do fokusohen që mos ta humbasin dhe të përdorin kundërsulmin. Unë mendoj se do të jetë një lojë e luftuar në mesfushë.


-Si e shikoni situatën aktuale në skuadrën e Vllaznisë?

Ekipi ka pasur shumë ulje-ngritje vazhdimisht. Për mendimin tim, nuk ka qenë shumë stabël, sidomos nga janari e mbrapa, por sot duhet të luajnë një finale që të nxjerrin në pah vlerat e tyre që kanë, por edhe për tifozët që e presin këtë gjë.


-Kur kanë mbetur edhe dy javë nga fundi i kampionatit, kë shikoni ekipin më favorit për Europën, na jepni dot një opinion rreth kësaj çështje të tillë?

Unë mendoj që patjetër Vllaznia duhet të jetë në Europë, edhe për vetë shpenzimet vjetore, për vetë organikën dhe kualitetin e skuadrës, por edhe për tifozërinë që kërkon të jetë ekipi në Europë. Një gjë e tillë është një kënaqësi për ata.


-Tafili, sipas jush, skuadra e Vllaznisë a mund dhe duhet të pretendojë për Europën deri në ndeshjen e fundit ndaj Bylisit apo gjithçka varet nga ndeshjet e nesërme?

Kjo është ndeshje që duhet që patjetër të kërkohet fitorja. Unë besoj se të gjithë janë angazhuar dhe e kanë përgatitur ndeshjen ashtu siç duhet, sepse kjo ndeshje është pothuajse fati i gjithë sezonit. Të paktën, ky është mendimi im.

-Alsid, ku mendoni se ka çaluar ky ekip këtë sezon, sepse realisht mundësitë dhe pritshmëritë ishin më të mëdha apo jo?

Po, e vërtetë, por mendoj që këtyre futbollistëve nuk i është marrë maksimumi, sepse kanë të gjithë mundësi për të treguar më shumë. Nuk i di arsyet a janë çështje motivimi, njohja e mirë e kampionatit dhe ekipeve të tjera të kampionatit shqiptar, por ky trajner aktualisht e ka pasur shumë të vështirë për t’u përshtatur me grupin dhe kampionatin.


-E fundit për ta mbyllur Alsid, si një njohës i mirë i futbollit dhe si ish-futbollist i ekipit të Vllaznisë, çfarë duhet të përmirësojë trajneri Sedloski sot ndaj Laçit dhe çfarë i këshilloni atij për vazhdimësinë?

Unë mendoj që trajneri Sedloski duhet të ketë disa plane në mendjen e tij, jo vetëm një, sepse futbolli është i paparashikueshëm. Jam i mendimit që Sedloski duhet mos të nxitohet me zëvendësimet, ta motivojë ekipin siç duhet dhe të fokusohet te kundërshtarët që t’i analizojë deri në detaje.
Maringlen ZHIVANI