Pak kohë më parë, u bë një debat i madh në lidhje me projektin që prekte ‘Kompleksin Dinamo’ që tashmë është sheshuar nga fadromat dh buldozerët. Por mesa duket, kjo nuk ka qenë e vetmja fushë sportive që ka vuajtur pasoja e betonizimit duke qenë se së fundmi, është Klubi Sportiv Partizani ai i cili ka rënë pre e buldozerëve.

Mëngjesin e sotëm, që përkon me 73 vjetorin e themelimit të KS Partizanit, buldozerët kanë shembur godinën e klubit. Godina e cila shërbente si palestër për shumë sportëshin e këtij klubi, ka përfunduar në rrënoja tashmë. Në fakt shkatërrimi i këtij Klubi Sportiv nuk ka nisur ditën e sotme, por shumë kohë më parë.

Para disa kohësh ishte fusha e futbollit ajo e cila u prish nga fadromat dhe tashmë ka ardhur radha e godinës. Në këtë mënyrë, shembet edhe ajo godinë që kishte arritur të mbijetonte dhe për të gjithë sportdashësit, Klubi Sportiv te rruga ‘Frosina Plaku’ nuk ekziston më. Si për ironi të fatit, ku në çdo vend të botës bëhen nderime me rastin e një përvjetori, në Shqipëri shembet një pjesë e mirë e historisë që ky klub ka.

“Një foto-fakt tronditës vjen sot. U vihet buldozeri dhe prishen përfundimisht edhe ato pak pjesë të ndërtesës që kishin mbetur nga godinat e Klubi Sportiv Partizani. Pra, u prish ‘de facto’ Klubi Sportiv Partizani, i cili përfundimisht sot edhe ato godina qe kishin ngelur nuk i ka më.

Nuk dihet se a ka dijeni kryeministri Edi Rama, qeveria, policia e shtetit apo instancat e tjera shtetërore ligj-zbatuese. U shemb përfundimisht në mënyrë kriminale, një klub polisportiv legjendar nga politika që vodhi dhe shkatërroi çdo gjë.

U mohua historia prej 7 dekadash dhe djersa e shumë sportistëve dhe trajnerëve. Një krim sportiv, shoqëror, ambientalist, urban, trashëgimor, etj”, shkruhej në njoftimin e Klubit Sportiv Partizani. /VipSport/