Flamurtari ka mbetur ende pa trajner qe pas shkarkimit te Dritan Resulit dhe gjithe stafit te tij. Nderkohe ne Vlore kane filluar te qarkullojne emra te ndryshem kandidatesh per pasuesin e tij.

Opsioni i parë i Sinan Idrizit mbetet një trajner brenda familjes por ka edhe emra që po përfliten për të marrë drejtimin e Flamurtarit.

Një prej tyre është Eqerem Memushi. 58- vjeçari e ka drejtuar skuadrën si trajner në vitet 2006, 2007, 2008 dhe 2009. Ai e njeh mjaft mirë ambientin në Vlorë dhe së fundi është parë shpeshherë edhe në stadium. Ka eksperiencë të konsiderueshme si trajner pasi më parë ka drejtuar shumë skuadra si: Bylis, Tomorri, Apolonia, Naftëtari, Vora dhe Orikumi.

Edmond Liçaj, është një tjetër kandidat për stolin vlonjat. Ka qenë trajner i Flamurtarit në kohën kur klubi drejtohej nga Shpëtim Gjika. Por ka bashkëpunuar edhe me Sinan Idrizin teksa disa vite më parë kishte rolin e drejtorit në klub. Janë edhe kandidatë të tjerë në lojë.

Në klub po qarkullon edhe emri i ish-trajnerit të Apolonisë Veljko Dovedan. Serbi 69- vjeçar vjen më së shumti si i vetëofruar. Jo vetëm kaq, por në Vlorë po qarkullojnë edhe emra të tjerë si ai i Bledar Devollit, Stavri Nicës i sapo larguar nga Kukësi, apo edhe i ish- trajnerit te Vllaznise Migen Memelli dhe Ernest Gjokës.