Deri para pak kohësh ka qenë pjesë e kombëtares U17 të Shqipërisë, madje i thirrur edhe së fundmi nga trajneri Mustedanagic për eliminatoret që po zhvillon, por në fakt ai ka zgjedhur Italinë.

Bëhet fjalë për portierin me origjinë nga Shkodra, Marco Molla. Ai është portieri i cili prej një viti grumbullohej rregullisht me përfaqësuesen U17 si dhe luajti me të në ndeshje miqësore.

Por djaloshi i cili luan me ekipet e moshave të Bolonjës në Itali, me sa duket nuk ka ndjerë veten mirë në radhët e kuqezinjve, ku u kthye në zgjedhje të dytë.

Ndaj në vend që të përfundonte duke luajtur me fanellën kuqezi të Shqipërisë, ai ka përfunduar duke luajtur me Italinë U17 në Europian. Italianët ndiqnin prej kohësh portierin e talentuar dhe sapo kanë mësuar për problemet e tij me Shqipërinë, nuk kanë ngurruar t’i shtrijnë dorën atij, duke e bërë pjesë të tyre.

Emri i Mollës u shfaq në listën e trajnerit Karmine Nunciata të Italisë U17, që u bë publike me 16 tetor dhe ai iu përgjigj pozitivisht asaj ftese.

Lojtari ishte më i kënaqur që të ishte zëvendësues te Italia sesa te Shqipëria, vendim i cili i siguroi atij më pas edhe një vend mes 20 lojtarëve që kanë zhvilluar ditën e shtunë me Italinë ndeshjen e parë në Europianin e kësaj grupmoshe, teksa kanë fituar me rezultatin e thellë 7-0 ndaj Andorës dhe Molla ka qenë në pankinë gjatë gjithë ndeshjes.
© shkodrasport.com