Hulen Lopetegui është i sigurt se e ka skuadrën me vete dhe nuk beson se ata do t’i bëjnë “puç” për ta larguar. Trajneri i Realit thotë se kanë punuar të gjithë maksimalisht dhe shpreson që edhe pas “El Clasicos” të marrë frymë lirisht dhe të vazhdojë të jetojë… Numri një i madrilenëve nuk e pranon se ka presion, por thotë se gjatë kësaj kohe ka menduar vetëm si ta përgatisë këtë ndeshje sa më mirë.

Jeta vazhdon– “Shpresoj që të marr frymë edhe pas kësaj ndeshje. Por nuk besoj se do të vdes. Nuk do ta vras veten pas ndeshjes”.

Pa Mesin- “Do ta nisim këtë ndeshje duke menduar vetëm për ekipin tonë dhe jo për të tjerët. Duhet të mbrohemi mirë dhe të shfrytëzojmë rastet që do të na krijohen. Nuk ka rëndësi kush luan dhe kush nuk luan”.

Situata- “Lojtarët e Realit kanë besim tek unë dhe unë kam besim tek ata. Nuk kam asnjë dyshim për këtë dhe nuk do të ketë ‘puç’. E kuptoj këtë gjë nga impenjimi që ata kanë në stërvitje. Duam që t’i bëjmë të lumtur tifozët tanë dhe të fitojmë”.

Rëndësia- “Një ndeshje Real-Barcelona është gjithmonë e rëndësishme dhe nuk ka krahasim. Është spektakël, është një nivel i jashtëzakonshëm për të gjithë”. Presion- “Kemi një ndeshje të bukur për t’u luajtur dhe nuk kam ndërmend të mendoj për gjëra që nuk më lejojnë ta përgatis ndeshjen”.

I lëkundur- “Unë përqendrohem në punën time si trajner dhe dua vetëm që skuadra ime të përmirësohet. Ato që thonë gazetat nuk më ndihmojnë aspak. Por kjo që po na ndodh neve është një situatë e pakuptueshme. Jemi në tetor dhe thonë se sezoni jonë është i marrë fund, apo gjëra të tilla”.

Marselo-Isko- “Marselo mori një goditje, por është mirë. Është stërvitur normalisht. Isko qëndroi 1 muaj larg fushave dhe të shohim se çfarë do të ndodhë”.

Fitorja surprizë– “Nuk më shqetëson fakti që thonë se po fitoi Reali do të jetë surprizë. Çfarë do që të them unë nuk do të ndryshojë asgjë. Por në asnjë fushë nuk është surprizë po fitoi Reali. Do të isha i lumtur nëse do të fitonim”.