Atleti i Vllaznisë Izmir Smajlaj ka vendosur sërish rekord kombëtar.Nëse më 8 maj ka bërë barazim rekordi në ditën e kërcimeve në Shkodër, me 7.75 metra, dje ka qenë në rezultatin e ri 7.78 metra. Ndonëse vetëm përpara dy ditësh pat ardhur nga Tbilisi, atje ku zuri vendin e dytë me 7.58 metra, ndërsa së bashku me Luiza Gegën ishin ndër më të mirët e Shqipërisë në Ligën e Evropës, Kategoria e Tretë, shkodrani përsëri ka bërë rezultat surprizë. Që nga presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergji Ruli, tek trajneri Vildan Tufi, por dhe tek anëtarët e kryesisë së këtij institucioni ka pasur gëzim dhe falënderim. Sepse rekordi i Izmir Smajlajt i ka dhënë më tepër bukuri këtij aktiviteti, që përveç shqiptarëve ka pasur dhe pjesëmarrjen e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi. Në krahasim me dy edicionet e mëparshme, teksa aktivitetet janë bërë për nder të Pietro Meneas dhe Robert Emian, pjesëmarrja e përfaqësueseve të tjera ka qenë më e pakët. Përveç vendit të parë dhe rekordit të Smajlajt, vende të para kanë zënë edhe disa sportistë të tjerë të Vllaznisë dhe pikërisht Mario Shestani në 100 m, Bajram Muça në 110 m/p dhe Gledis Halluni në trehapësh.
© shkodrasport.com