Cristiano Ronaldo bëhet gati për t’u kthyer në Itali. E zbulon e përditshmja “Tuttosport”, që thekson se “ylli” portugez do të jetë në Torino brenda fundjavës.

Në fakt, kthimi i Ronaldos varet nga vendimi i qeverisë italiane për të lejuar nisjen e stërvitjes në grup më 18 maj, pasi do të ishte i detyruar të qëndronte në karantinë për 14 ditë para se të zbriste në fushë.

Fakti është që CR7 ka qenë i gatshëm në çdo moment për të lënë Portugalinë, ku është stërvitur privatisht në vilën e tij luksoze, por edhe në stadiumin e Madeiras.

Në Itali, vendimi për të rinisur sezonin aty ku u ndal nuk ka ardhur zyrtarisht, por mund të ndodhë në orët në vazhdim.

Janë të shumtë, në fakt, futbollistët e huaj të “Zonjës së Vjetër” që kanë mbetur jashtë Italisë, me përjashtim të boshnjakut Miralem Pjanic, i cili u kthye i pari.

Në Torino po numërojnë orët për kthimin në bazë të të gjithë futbollistëve, përfshirë edhe “yllin” portugez, i cili mund të mbërrijë që sot me avionin e tij privat.