Mes emrave që drejtojnë ekipet e akademisë së Dinamos është edhe Jahmir Hyka, i cili karrierën si futbollist e ka nisur pikërisht me fanellën blu. Më pas ka provuar disa eksperienca në Europë dhe ka luajtur Kombëtaren dhe për Tiranën në Superiore, ndërsa aktualisht drejton ekipin U-15 të Dinamos.
Sigurisht që e ka ndjekur edhe skuadrën e parë, për të cilën gjykon se meriton të jetë në 4-shen e parë. Si rival të bluve Hyka sheh më shumë Skënderbeun sesa Tiranën. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai thekson se Dinamo e ka në duart e saj fatin e pjesëmarrjes në “Final 4”, por i duhet të marrë pikë të shtunën kundër Vllaznisë, në një ambient ku sipas tij luhet futboll komod.
“Dinamo e nisi me vështirësi kampionatin, por më pas gradualisht e mori veten dhe ja ku është tani, në garë për në “Final 4”. Ka në grup lojtarë të mirë, ka bërë ndeshje të mira, ka pasur momentet e saj të mira, por ka pasur edhe luhatje, si të gjitha skuadrat e kampionatit. Besoj se me atë që ka treguar gjatë sezonit e meriton të ketë në 4-shen e parë në fund. Dhe mendoj se ia del të marrë pikë në ndeshjen e rradhës që do të luajë në Shkodër ndaj Vllaznisë
Është një garë shumë e fortë, që po i jep më shumë bukuri kampionatit në këtë moment. Nuk është gara për kreun, por është mjaft interesante dhe të shohim si do të shkojë deri në fund. Mendoj se Dinamo, përderisa është në vend të 4-t, e ka fatin në duart e saj. Duhet ta mbrojë këtë pozicion dhe besoj se do ta mbrojë. Si rival të Dinamos më shumë shikoj Skënderbeun sesa Tiranën në këtë duel për vendin e fundit që të jep mundësinë për të synuar titullin pastaj nëpërmjet atyre ndeshjeve të tjera”- është shprehur Hyka.