Teuta-Egnatia është një nga sfidat më interesante të javës së 34-t, edhe pse përballen dy skuadra me diferencë të konsiderueshme pikësh në renditje. Durrsakët, që mbajnë vendin e 7-të, duan të ngjiten sa të munden në këto javë të fundit, ndërsa rrogozhinasit duan të ruajnë vendin e parë dhe vijnë pas një humbjeje. Pritet një 90-minutësh i luftuar, me “Djemtë e detit” të vendosur për të marrë fitoren e dytë radhazi.

SHANSI – Egnatia ka dominuar çdo skuadër këto sezonet e fundit, por jo Teutën. Ndaj durrsakëve, kryesuesit e Superiores kanë vuajtur gjithmonë dhe kanë vetëm 1 fitore. Teuta ka 6 fitore dhe të shtunën synon të radhës ndaj në stadiumin “Niko Dovana”. Tri ndeshje të tjera janë mbyllur në barazim mes këtyre dy skuadrave gjatë 3 viteve të fundit.

Sa i takon këtij sezoni, skuadra e trajnerit Martini ka fituar ndeshjen e parë 0-1 dhe ka barazuar në dy të tjerat, 2-2 dhe 0-0. Akti i 4-t për këtë sezon ka rëndësi të veçantë, ndërsa “Djemtë e detit” kanë avantazhin që luajnë në fushën e tyre. Duhet theksuar se morali te Teuta është në shkallën e duhur pas fitores 0-2 kundër Kukësit.

FORMACIONI – Trajneri Edi Martini ende nuk e ka përcaktuar se me çfarë formacioni do ta përballojë Egnatian të shtunën, në orën 16:00. Ai ka dilema për qendrën e mesfushës dhe për sulmin. Në mbrojtje situata është e qartë me Kotobellin, Gjinin, Jazxhi dhe Krujën përpara portierit Vata. Në mesfushë të sigurt duken Peposhi, Lloci dhe Beqja, ndërsa dilema është mes Boçit dhe Arifit. Në sulm Daci e nis nga minuta e parë, kurse lojtari tjetër me shumë mundësi do të jetë Fili.