Manuel Nojer e dha mesazhin e qartë pas hedhjes së shortit… Vijareali nuk është një skuadër që duhet nënvlerësuar, ndonëse me plotkuptimin e fjalës historia e këtij klubi është e ngjashme me atë të hirushes. 11 vite më parë, “Nëndetësja e Verdhë” takonte gjermanët në Ligën e Kampioneve, në fazën e grupeve, ku “Pancerat” pa mëshirë fitonin 180 minutat me rezultatin e përgjithshëm 5-1 (spanjollët e mbyllën grupin me zero pikë atë sezon).

Sigurisht, një dekadë më parë edhe vetë kualifikimi në Champions përbënte një përrallë për ta, ndonëse nga gjithë ai gëzim i madh i fillimvitit futbollistik, sezoni përfundoi në një mënyrë të tmerrshme: talenti shpërthyes italian Xhuzepe Rosi këput keq ligamentet e gjurit dhe “Nëndetësja e Verdhë” pa shërbimet e tij mbytet në fund të renditjes, duke përfunduar në Segunda Divizion.

Për Vijarealin, skuadrën që mban emrin e provincës së saj, mund të dukej diçka e vështirë që të ringriheshin shpejt, por ndërkohë qyteza me 50 mijë banorë, e shtyrë edhe nga këmbëngulja e një presidenti Pako Roig, jo vetëm u rikthye menjëherë në elitën e futbollit spanjoll, por në 10 vitet e fundit është ndër më solidet në La Liga.

Madje, pas afrimit në stol të ekspertit Unai Emeri, ata u shndërruan menjëherë në makthin e Europës. Fituan Ligën e Europës, specialitetin e trajnerit të tyre (3 trofe me Vijarealin plus një me Vijarealin), duke mundur në finale Mançester Junajtid.

Falë kësaj çmendurie që dërgoi në festë të gjithë provincën, fituan të drejtën e marrjes pjesë në Champions dhe përralla u bë edhe më e bukur këtë sezon: eliminuan Atalantën në fazën e grupeve, por çmenduria ndodhi të mërkurën kundër Juventusit 3-0 në Torino dhe i treguan derën e daljes nga Europa “Zonjës së Vjetër”.

Dhe ku kishte më bukur se në çerekfinale të gjenin përballë Bajernin e Mynihut, ato “Pancerat” që i dërrmuan 11 vite më parë.

Dhe pse jo, provinca më e vogël që ka arritur të fitojë një kompeticion UEFA ndonjëherë do të provojë që në datat 6 dhe 12 prill të provojë të godasë nga thellësia edhe tankun gjerman të drejtuar nga Levandovski me shokë.