Dita e sotme është e veçantë për një personalitet të sportit shqiptar dhe atij shqiptar. Ish- mundësi dhe ish- trajneri kampion i shumë e shumë viteve me rradhë, Eljaz Ahmeti, pikërisht sot feston 83 vjetorin e lindjes së tij.

Për fat të mirë shumë i fortë dhe i lumtur bashkë me familjen e tij jashtë Shqipërisë por kjo nuk e ka larguar nga sportistët e tij. Vjen shpesh në Shkodër e takohet me ta, por do ta bëjë këtë gjë edhe në ditët e ardhshme sepse do të kthehet për të festuar ditëlindjen e tij të 80-të.

Kush është Eljaz Ahmeti?

Ka lindur më 19 mars 1939 në Bajzë të Malësisë së Madhe. Sportin e mundjes e ka nisur pas shkuarjes ushtar në Tiranë ku aktivizohet me Partizanin me të cilin ka patur një karrierë të gjatë nga viti 1959 deri në vitin 1972.

Gjatë kësaj periudhe ka qenë kampion i Shqipërisë në disa vite. Për herë të parë ka dalë në vend të parë në kampionatin individual në stilin klasik pikërisht në vitin 1963, duke konkurruar në peshën e tetë, atë të fundit.

Edhe në vitin 1964, Eljaz Ahmeti shpallet kampion në garat e zhvilluara në muajin shtator në Peshkopi dhe sërish në peshën e fundit, atë mbi 87 kg.

Në kampionatin e vitit 1965 të zhvilluar në Shkodër më 15-19 shtator, Eljaz Ahmeti duke konkurruar për Partizanin shpallet për herë të tretë kampion.

Ka një shkëputje në serinë e titujve në vitin 1966, për t’u rikthyer një vit më vonë, pra më 1967 në kampionatin e zhvilluar në datat 18-20 tetor në Tiranë shpallet kampion për herë të katërt e po ashtu edhe në vitin 1968.

Pas lënies së sportit nis punën si trajner, fillimisht duke drejtuar ekipin e të rinjve të Partizanit por jo për shumë kohë. Kthehet në Shkodër dhe merr drejtimin e ekipit të Vllaznisë të cilin e drejton që prej vitit 1973 deri më 1989, pra për 17 vjet me rradhë.

Një periudhë e cila rezultoi e sukseshme sepse Vllaznia në mundje të lirë, nën drejtimin e tij fitoi disa trofe. Dhe jo pak: 6 tituj kampionë, 7 Kupa të Republikës dhe po ashtu edhe finalet e Spartakiadës Kombëtare të vitit 1984.

“Një trajner i cili na ka mësuar shumë gjëra dhe ka qenë baza e sukseseve tona të gjithë atyre viteve. Eljaz Ahmeti meriton vërtetë respektin e të gjithë Shkodrës për atë çfarë i ka dhënë këtij qyteti”- thotë një nga ish- sportistët e tij, 10 herë kampioni i vendit Rrok Bardeli.

Edhe Tonin Dema, një tjetër kampion i dalë nga duart e këtij trajneri, flet me superlativa për të. “Shumë i ashpër, por i drejtë dhe i aftë. Ka meritën e jashtëzakonshme të gjithë atyre sukseseve që kemi arritur në ato vite”- shprehet ai.

Ndërsa Alfred Bardeli shton: “Një trajner i madh me të cilin kemi fituar 7 tituj kampion e 6 Kupa Republiket duke qenë ekipi ma i mirë e që ka fituar ma shumë në Shqipëri në vitet 80-90 në mundje të lirë”.

Eljaz Ahmeti një vit më parë është nderuar me titullin e lartê “MJESHTËR I MADH”. Një titull mëse i merituar për këtë legjendë të mundjes shkodrane dhe asaj shqiptare.

Gazeta “Shkodra Sport” i uron edhe 100 vite të tjera të lumtura këtij personaliteti të mundjes dhe padyshim që figura të tilla i kanë bërë nder Vllaznisë, Shkodrës por edhe Malësisë së Madhe, nga ku ka rrënjët.
Gjergj KOLA

https://youtu.be/8uqugIO7bNw