Rafael Leao ka qenë i përfshirë në tetë gola në 10 ndeshjet e tij të fundit në Serinë A të luajtura në janar (5 gola, 3 asiste). Madje, pas realizimeve ndaj Fiorentinës dhe Salernitanës, sulmuesi i Milanit mund të shënojë në tri ndeshje radhazi për herë të parë në kampionatin italian.
Sidoqoftë, situata e tij është pak më e ndërlikuar jashtë fushe. Të hënën nis një javë vendimtare për të ardhmen e tij. Ted Dimvula, në cilësinë e menaxherit, do të takojë drejtuesit e Milanit. Temë diskutimi mbetet kontrata e portugezit, që skadon në qershor të vitit të ardhshëm, e nga cila lojtari vazhdon të paguhet me një rrogë prej 1.2 milionë eurosh në sezon.
Kuqezinjtë janë gati t’i sigurojnë 7 milionë në sezon për të pasur një akord deri në vitin 2027. Për t’u ndryshuar edhe klauzola prej 150 milionë eurosh, e cila mund të arrijë deri në 250 milionë.
Një çështje tjetër është borxhi prej 9.5 milionë eurosh që 23-vjeçari ka ndaj Sportingut të Lisbonës nga ku u largua me kokën e tij katër vite më parë, duke prishur kontratën në mënyrë të njëanshme për t’u transferuar te Lila. Edhe klubi francez duhet të derdhë 9.5 milionë euro në arkat e homologëve luzitanë, por Milani duket i gatshëm për të shlyer vetëm detyrimet e sulmuesit të tij.
KASANO – Edhe Antonio Kasano është kundër largimit të Leaos, madje ka edhe një këshillë për të. “Milani është i mbështetur te Lea dhe Tonali.
Tonali ka pasur një rritje shkatërruese dhe do të vazhdojë të rritet. Nëse vendos një lojtar si Brozoviç pranë tij, ai bën edhe më shumë. Merr topin, di të luajë, di të sulmojë hapësirat, ka ritëm, personalitet, ka cilësi dhe vizion. Në dy-tri vitet e ardhshme mund të bëhet një mesfushor elitar.
Në këtë moment, Milani ka nevojë për Tonalin këtu dhe Leao në sulm po bën diferencën. Milani po bën një sakrificë të madhe, sepse duan të rinovojnë kontratën e tij dhe ai heziton: çfarë ka për të hezituar? Nëse shkon diku tjetër rrezikon të përfundojë si Grilish që ishte fenomeni në Aston Vila, ndërsa te Siti qëndron në stol”, deklaroi Kasano për “Bobo TV”.