Fiorentina nuk heq dorë dhe po insiston për Nedim Bajramin. Vinçenco Italiano, trajneri i vjollcave, ka dhënë pëlqyeshmërinë për Bajramin, pasi i përshtatet për skemën e tij.

Siç raportojnë mediat italiane, takimi mes dy klubeve dhe agjentit të lojtarit ka shkuar mirë dhe kjo do të jetë java vendimtare për fantazistin e Kombëtares shqiptare.

Flitet për 10 deri në 15 milionë euro, e cila do të jetë pagesa që Fiore do të bëjë drejt Empolit, që pas shitjes së Kristjan Asllanit, arkën do t’ia mbushë sërish një shqiptar.

Takimi i radhës do të jetë edhe ai përmbyllës, pas të cilit, me sa duket, Bajramin do ta shohim te Fiorentina, ekip që merr pjesë edhe në Ligën e Konferencës, një mundësi shumë e mirë për 23-vjeçarin që të reklamojë aftësitë e tij.