Ditët kalojnë dhe tek Vllaznia ende nuk ka asnjë lëvizje për momentin. Mosemërimi ende i drejtuesve të rinj të klubit dhe i trajnerit, nuk do të thotë se drejtuesit e lartë të klubit kanë qëndruar pasiv gjatë kësaj periudhe.

Nga sa bëhet e ditur, ka patur edhe takime të zhvilluara në ditët që lamë pas, takime në të cilat janë hedhur hapat e parë për sezonin e ri. Dhe lëvizja e parë e Bashkisë Shkodër për Vllazninë duket se do të realizohet në ditët e ardhshme.

Pikërisht më 19 korrik do të zhvillohet edhe mbledhja e rradhës e Këshillit Bashkiak Shkodër në të cilën pritet të miratohet edhe një fond për klubin e futbollit Vllaznia. Se sa do të jetë kjo shumë, mbetet për t’u parë.

Në këto momente e rëndësishme është të hidhen piketat e para të sezonit të ri. Ato se kush do jenë drejtuesit dhe trajneri. Të tjerat pastaj sa I takon lojtarëve, kuptohet që ka lidhje edhe me buxhetin që do të akordohet.

Vllaznia aktualisht ka një numër të konsiderueshëm futbollistësh nën kontratë dhe baza do të jenë pikërisht ato por nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe ndonjë lëvizje tjetër.

Gjithçka do të vendoset edhe nga preferencat që do të ketë trajneri megjithatë ajo që mbetet është detyrimi për ta ngjitur skuadrën në Superligë në fund të sezonit.
© shkodrasport.com