Në verën e vitit të kaluar, Fahrudin Gjurgjeviç u bë hero në Shkodër, pasi shënoi dy gola në fitoren 3-0 ndaj Shiroki Brijegut në Ligën e Konferencës. Ajo përmbysje fantastike e Vllaznisë vinte pas një kohe të gjatë pa marrë pjesë në Europë dhe sulmuesi nga Maqedonia e Veriut i bëri një nisje të shkëlqyer aventurës me kuqeblutë.

Mirëpo, pas përfundimit të sezonit, ku u fitua edhe Kupa e Shqipërisë, Gjurgjeviç u largua nga Vllaznia. Klubi kishte të tjera pritshmëri për të, teksa 30-vjeçarit i mungoi vazhdimësia. Sulmuesi nga Shkupi zgjodhi të vijojë karrierën te Makedonija Gjorçe Petrov, që ashtu si shkodranët, e nis nga turi i dytë i Ligës së Konferencës. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Gjurgjeviç kujton përmbysjen e çmendur të edicionit të kaluar dhe flet për shanset që ka Vllaznia për një tjetër kualifikim ndaj rumunëve të Universitatea Kraiovës.

Ju vjen keq që u larguat nga Vllaznia pas vetëm një sezoni?
Fillimi im te Vllaznia në verën e vitit të kaluar ishte diçka që çdo lojtar mund ta dëshirojë në karrierën e tij. Që në ndeshjet e mia të para në Shkodër, më duhet të pranoj se fillova të kem një ndjeshmëri të madhe për këtë klub dhe qytetin brenda një kohe shumë të shkurtër. Në këto kushte, e imagjinoja që do të qëndroja atje për një periudhë më të gjatë se një sezon. Mirëpo, nuk ishte e thënë të ndodhte kështu.

Keni ndonjë peng, çfarë mund të bënit më mirë?
I di aftësitë dhe cilësitë e mia, prandaj pengu i vetëm është se doja t’i jepja këtij klubi shumë më tepër, por ky është futbolli dhe jo gjithmonë gjithçka është ashtu siç e imagjinon. Arsyet mund të jenë të shumta, por duhet të shikojmë përpara tashmë.

U bëtë heroi i skuadrës në sezonin e kaluar në Ligën e Konferencës me dy golat ndaj Shiroki Brijegut. Si e kujtoni atë ndeshje?
Të them të drejtën, gjatë karrierës sime kisha luajtur në shumë stadiume të mira dhe me një atmosferë të bukur, por ato momente të ndeshjes së kthimit me Shirokin në “Loro Boriçi”, janë pa dyshim diçka që do të më qëndrojë thellë në zemër gjatë gjithë jetës sime. I ndjej ato emocione sa herë që shikoj video të asaj ndeshjeje. Emocione të tilla janë diçka për të cilën një lojtar mund të ëndërrojë dhe ato momente janë arsyeja pse ne e luajmë me kaq pasion këtë sport.

Vllaznia do të përballet me klubin rumun, Universitatea Kraiova, të enjten. Sa shanse ka sipas jush për të kaluar të paktën një tur?
Jam i sigurt që Universitatea Kraiova është një skuadër më cilësore se Shiroki Brijeg. Tashmë Vllaznia e nis nga turi i dytë dhe vështirësia rritet, por në futboll asgjë nuk dihet paraprakisht. Duke ditur cilësinë e ekipit të Vllaznisë, jam i bindur se kanë shanset e tyre të kalojnë këtë raund. Shpresoj që këto shanse që ka, Vllaznia t’i përdorë me mençuri dhe ta kalojnë turin. E meriton këtë qyteti, tifozët dhe kryesia e klubit.

Si i shikoni lëvizjet që janë bërë në skuadër gjatë merkatos?
Më duhet të them që nuk i njoh lojtarët e rinj që kanë ardhur, pasi nuk kam luajtur me ta, por di mirë cilësitë e atyre që qëndruan në skuadër. Nuk mund të them tani nëse është ekipi më i fortë apo më i dobët, por Vllaznia ka shumë lojtarë cilësorë që mund t’i sjellin sukses klubit.

Cili lojtar te Vllaznia mund të vendosë ndeshjet ndaj rumunëve?
Para së gjithash, për mendimin tim, forca më e madhe e kësaj skuadre është uniteti dhe puna në grup, por lojtarë si Latifi dhe Aralica janë ata që mund ta vendosin këtë duel, duke parë cilësitë që kanë.

Karrierën do ta vazhdoni te Makedonija Gjorçe Petrov, që gjithashtu ishte fituese e Kupës. Pse kjo zgjedhje?
Ky është klubi ku unë jam rritur që fëmijë dhe kam luajtur për herë të parë në ekipin e parë, pikërisht në sezonin 2008-2009, ku morëm edhe titullin kampion në Maqedoni. Jam rikthyer në një mjedis të njohur, në një klub të qëndrueshëm dhe me lojtarë shumë të mirë. Do të luajmë edhe ne në turin e dytë të Ligës së Konferencës kundër CSKAsë së Sofjes, kështu që shpresoj të përsëris të njëjtën gjë që bëra verën e kaluar me Vllazninë. Synimi ynë është të kalojmë këtë raund.

Pasi u larguat nga Shkodra, patët oferta nga klube të Superiores?
Kam pasur oferta nga klube të tjera, përfshi ato nga Shqipëria, por arsyet që thashë më lart, ndikuan në vendimin tim, pra të kthehem në vendin tim dhe të nënshkruaj për ekipin ku kam kujtime të bukura.